Tjetër tragjedi, të paktën 34 emigrantë humbin jetën në brigjet e Senegalit
Të paktën 34 persona kanë humbur jetën pasi një varkë me emigrantë u mbyt në brigjet e Senegalit, teksa udhëtonte drejt Ishujve Kanarie të Spanjës. Lajmi është raportuar nga Agjencia Senegaleze e Shtypit (APS), duke cituar burime zyrtare.
Ministria e Brendshme bëri të ditur se deri më tani është shpëtuar vetëm një person, ndërsa numri i saktë i të zhdukurve mbetet ende i paqartë.
Sipas Saliou Diouf, drejtues i organizatës senegaleze për ndihmën e emigrantëve Boza Fii, të gjitha viktimat e identifikuara deri më tani janë shtetas senegalezë. Kombësia e personave të tjerë që ndodheshin në bord nuk është përcaktuar ende.
Presidenti i Senegalit, Bassirou Diomaye Faye, u shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave dhe u bëri thirrje qytetarëve të mos rrezikojnë jetën në udhëtime të tilla detare. Përmes një reagimi në rrjetin social X, ai premtoi intensifikimin e luftës kundër rrjeteve të trafikimit të emigrantëve që organizojnë këto udhëtime.
Papunësia, një nga arsyet e emigrimit
Rruga detare nga Afrika Perëndimore drejt Ishujve Kanarie është kthyer në një nga korridoret kryesore të emigracionit drejt Evropës. Kufizimet më të forta dhe bashkëpunimi mes vendeve evropiane dhe atyre të Afrikës Veriore kanë ndikuar gjithashtu në zhvendosjen e një pjese të flukseve migratore drejt kësaj rruge.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), mungesa e mundësive për punësim, presioni familjar dhe rrjetet ekzistuese të emigracionit janë ndër faktorët që i shtyjnë qytetarët senegalezë të largohen nga vendi.
Të dhënat e agjencisë kombëtare të statistikave tregojnë se në tremujorin e dytë të vitit 2026, pothuajse një në katër të rinj në Senegal ishte i papunë.
Kjo përbën një sfidë të rëndësishme për qeverinë e presidentit Faye, e cila synon të krijojë vende të reja pune për popullsinë e re të vendit.
Kjo është tragjedia e dytë e regjistruar brenda pak orësh. Në Kretë 20 emigrantë humbën jetën, ndërsa 133 të tjerë u shpëtuan.




