Zbulimi historik në dy magazina industriale në qytetin Águilas të Spanjës ka vënë në qendër të hetimeve rrjetet kriminale ndërkombëtare. Mediat spanjolle dyshojnë për një lidhje mes mafies shqiptare dhe kartelit brazilian Primeiro Comando da Capital (PÇ).
Një prej sekuestrimeve më të mëdha të kokainës në historinë e Spanjës ka tronditur autoritetet e sigurisë, pasi rreth 12 mijë kilogramë lëndë narkotike u zbuluan në dy magazina industriale në qytetin bregdetar të Águilas, në rajonin e Murcias.
Sipas raportimit të medias së specializuar spanjolle Narcodiario, zbulimi i sasisë rekord të drogës ka ngritur dyshime për përfshirjen e një rrjeti të gjerë ndërkombëtar, ku mund të jenë të lidhura struktura të mafias shqiptare dhe karteli brazilian PÇ.
Hetimi po përpiqet të rindërtojë të gjithë itinerarin e ngarkesës, nga origjina në Amerikën e Jugut deri në mbërritjen dhe magazinimin e saj në territorin spanjoll.
Një prej pistave kryesore të hetimit lidhet me bashkëpunimin e mundshëm mes rrjeteve kriminale shqiptare dhe PÇ-së, e njohur si një prej organizatave më të fuqishme dhe më të frikshme kriminale në Brazil.
Sipas analizës së publikuar nga Narcodiario, këto struktura mund të kenë ndarë rolet në një biznes ndërkombëtar të trafikut të kokainës, ku përfshihen furnizimi, transporti, magazinimi dhe shpërndarja në tregjet evropiane.
Rrjetet kriminale shqiptare kanë qenë në vëmendjen e autoriteteve evropiane për aktivitetin e tyre në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve, ndërsa PÇ ka zgjeruar ndikimin përtej Brazilit, duke krijuar lidhje me rrjetet e furnizimit dhe transportit drejt Evropës.
Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë bërë publike përfundimet që do të provonin përgjegjësinë konkrete të secilës organizatë në këtë ngarkesë.
Sasia e sekuestruar tregon përmasat e jashtëzakonshme të operacionit kriminal. Bëhet fjalë për një ngarkesë që kërkon kapacitete të mëdha financiare, logjistikë të organizuar dhe bashkëpunim mes disa hallkave të një rrjeti ndërkombëtar.
Përdorimi i magazinave industriale mundëson fshehjen e ngarkesave të mëdha dhe organizimin e lëvizjeve të mëtejshme drejt destinacioneve të ndryshme.
Hetuesit duhet të përcaktojnë se ku ka hyrë fillimisht kokaina në Evropë, kush ka financuar transportin, kush ka organizuar magazinimin dhe cilat ishin destinacionet përfundimtare të saj.
Përmasat e sekuestrimit e kanë vendosur rajonin e Murcias në qendër të vëmendjes së luftës kundër trafikut ndërkombëtar të drogës.
Sipas Narcodiario, hetimi vijon nën sekret hetimor, ndërsa pista e lidhjes mes mafias shqiptare dhe organizatës braziliane PÇ mbetet një prej elementeve më të rëndësishme të kësaj çështjeje.
Sekuestrimi i 12 tonëve kokainë nuk përfaqëson vetëm një goditje të rëndësishme ndaj trafikut të narkotikëve, por mund të shërbejë edhe si pikënisje për zbulimin e një rrjeti shumë më të gjerë kriminal që lidh Amerikën Latine me tregjet evropiane.
© SYRI.net
EMRI/ Grabiti 60 mijë euro në një bankë në Tiranë, në pranga 50-vjeçari nga Vlora
Goditet rrjeti i trafikut në Romë, 2 shqiptarë nën hetim - 25 persona të përfshirë, 850 kg drogë e trafikuar
‘Banka e Fshehtë’/ Zbardhen detajet e dosjes së antimafias: Gjurmët e ndërmjetësit shqiptar dhe alarmi për Shqipërinë