G7 mblidhet në Francë, Rubio diskuton sfidat ndërkombëtare me aleatët

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të takohet të hënën me homologët e tij nga shtatë vendet më të industrializuara të botës (G7), në një takim dyditor në Paris, ku në fokus do të jenë krizat ndërkombëtare dhe drejtimi i politikës së jashtme amerikane pas humbjeve të mëdha të republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit.

Në takimin ku marrin pjesë përfaqësuesit e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë, pritet të diskutohen lufta Rusi-Ukrainë, konflikti me Iranin, energjia dhe inteligjenca artificiale, shkruan AP, transmeton Dukagjini.

Vizita e Rubios është udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që nga zgjedhjet e mesmandatit, në të cilat Partia Republikane humbi ndjeshëm dhe nuk arriti të ruajë kontrollin e Kongresit amerikan. Humbjet lidhen, ndër të tjera, edhe me politikat jopopullore të administratës Trump, përfshirë luftën me Iranin.

I pyetur për shqetësimet e aleatëve lidhur me drejtimin që do të marrë politika amerikane pas zgjedhjeve, Rubio tha se vendet me të cilat do të takohet e kuptojnë sistemin politik amerikan dhe se edhe ato kanë përjetuar ndarje politike dhe institucionale.

Megjithatë, deri më tani nuk ka shenja se rezultatet e zgjedhjeve do të ndikojnë në strategjinë e presidentit Donald Trump.

Në fokus lufta në Ukrainë dhe konflikti me Iranin

Një nga temat kryesore të takimit do të jetë lufta në Ukrainë dhe mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje që do t’i jepte fund konfliktit me Rusinë.

Trump ka shprehur gatishmërinë për një bashkëpunim me Evropën në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës. Ndërkohë, të dërguarit e tij, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, pritet të takohen këtë javë në Abu Dhabi me përfaqësues ukrainas dhe rusë për të diskutuar kompromiset e mundshme.

Rubio tha se garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe pjesën tjetër të Evropës pas përfundimit të luftës mbeten ndër shqetësimet kryesore të aleatëve.

Ai bëri të ditur se ka pasur përparim në diskutimet për atë se si mund të duket arkitektura e sigurisë pas konfliktit, por theksoi se ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje përfundimtare.

Në anën tjetër, në takim pritet të diskutohet edhe konflikti me Iranin, i cili ka ndikuar në rritjen e çmimeve të karburanteve dhe ka shtuar pasigurinë në rrugët kryesore detare të transportit, veçanërisht në Ngushticën e Hormuzit dhe Detin e Kuq.

Rubio tha se palët nuk janë pranë një përparimi të rëndësishëm diplomatik, duke përsëritur se Trump preferon një zgjidhje përmes negociatave.

Megjithatë, ai kritikoi kërkesat e Iranit, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe duke vlerësuar se deri më tani diplomacia nuk ka dhënë rezultatet e pritshme.

Shija e redaktorit

Presidenti kroat pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të dhjetorit

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të muajit dhjetor të këtij viti. Kështu ka mësuar Dukagjini nga burimet e veta...

Nufi: Shqipëria do ta mbrojë Kosovën, asnjë qeveri në Tiranë...

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka deklaruar se angazhimi i Shqipërisë për mbrojtjen e Kosovës është i pakushtëzuar, duke theksuar se asnjë...

Përkujtohet ditëlindja e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti

Sot shënohet 64-vjetori i lindjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti. Ai u lind më 1 nëntor 1962...

Të fundit nga rubrika