Buxhetimi me pjesëmarrje vijoi në Rajonin nr. 1 të Elbasanit, ku banorët diskutuan mbi nevojat e zonës dhe investimet që parashikohen të përfshihen në Buxhetin 2027. Gjatë takimit, vëmendje iu kushtua investimeve të realizuara ndër vite, përmirësimit të infrastrukturës arsimore dhe sociale, si dhe projekteve të reja që pritet të nisin në këtë rajon.
Ndër investimet e reja janë rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Abdyl Paralloi”, ku projekti ka përfunduar fazën e përgatitjes
dhe janë hapur procedurat e prokurimit, si dhe ndërhyrja rrugore në lagjen Emin Matraxhiu, veçanërisht në zonën e Krastës, ku kanë përfunduar procedurat ligjore dhe pritet të mbyllet procesi i shpronësimit për nisjen e punimeve.
Gjatë takimit, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vuri në dukje investimet e realizuara në Rajonin nr. 1, të cilat kanë ardhur edhe si rezultat i kërkesave të vetë banorëve përmes buxhetimit me pjesëmarrje. Ai u ndal veçanërisht te rikonstruksioni i palestrave dhe terreneve sportive pranë shkollës pedagogjike “Luigj Gurakuqi”, si dhe te investimet në arsim, shërbimet sociale dhe infrastrukturën rrugore.
Buxhetimi me pjesëmarrje vijon të jetë një proces ku qytetarët kanë mundësinë të shprehin shqetësimet e tyre, të propozojnë ndërhyrjet e nevojshme dhe të votojnë për investimet që do të përfshihen në Buxhetin 2027.
Palestra e shkollës “Luigj Gurakuqi”, ku u zhvillua takimi, ishte e mbushur me banorë, duke dëshmuar interesin e komunitetit për këtë proces dhe besimin te mundësia për të ndikuar drejtpërdrejt në përcaktimin e investimeve për zonën.
