Mes debateve për financimin, nis samiti i klimës në Turqi, SHBA mungon
Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Klimën, COP31, ka nisur punimet në Antalia të Turqisë, me synimin për të gjetur zgjidhje konkrete për përballimin e ngrohjes globale. Megjithatë, samiti ka nisur mes mosmarrëveshjeve pasi vendet pjesëmarrëse kanë hasur vështirësi për të rënë dakord mbi axhendën e diskutimeve.
Përplasjet kryesore lidhen me kërkesën e vendeve afrikane për trefishimin e financimit për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, në mënyrë që shtetet më të prekura të përballojnë thatësirat, përmbytjet dhe rritjen e nivelit të deteve.
Nga ana tjetër, vendet e zhvilluara, veçanërisht ato evropiane, kanë shfaqur rezerva për angazhime të reja financiare. Një zyrtar i Bashkimit Evropian, një prej financuesve më të mëdhenj të klimës në botë, deklaroi se aktualisht mungon vullneti politik për të marrë përsipër detyrime të tjera ekonomike.
Samiti zhvillohet në një kohë kur bota po përballet me pasoja gjithnjë e më të rënda të ndryshimeve klimatike, nga përmbytjet dhe valët e të nxehtit deri te zjarret masive. Ndërkohë, kriza energjetike, rritja e çmimeve dhe vështirësitë ekonomike po pengojnë zbatimin e politikave ambicioze për klimën.
Energjia elektrike, një nga çështjet kryesore të samitit
Turqia, në bashkëpunim me Australinë, që drejton negociatat, synon ta vendosë elektrifikimin në qendër të diskutimeve.
Propozimi është që pjesa e energjisë elektrike në konsumin global të energjisë të rritet në 35% deri në vitin 2035, nga rreth 20% që është aktualisht.
Megjithatë, kjo nismë mund të shkaktojë debate, pasi Bashkimi Evropian kërkon që elektrifikimi të mbështetet te burimet e pastra të energjisë dhe jo te qymyri, nafta apo gazi. Një qasje që mund të kundërshtohet nga vendet prodhuese të lëndëve djegëse fosile.
SHBA-ja mungon në samit
Një tjetër zhvillim që pritet të ndikojë në negociata është mungesa e përfaqësuesve amerikanë. Shtetet e Bashkuara janë ekonomia më e madhe në botë dhe ndotësi i dytë më i madh pas Kinës.
Pavarësisht vështirësive, organizatorët shpresojnë që samiti të prodhojë rezultate konkrete, duke përqendruar diskutimet në tre shtylla kryesore të Marrëveshjes së Parisit, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, uljen e emetimeve ndotëse dhe financimin e masave për mbrojtjen e klimës.




