Quhen paragjykime: vlerësime të ndikuara nga bindjet e paracaktuara. Ruben Amorim sigurisht që nuk është trajneri i përsosur, por në muajt e tij të parë në Itali është kritikuar shumë, shpeshherë edhe për arsyen më të vogël, përtej asaj që kanë justifikuar rezultatet e tij.

Milani i tij ka pasur rënie vërtet të thella në lojë dhe rezultate – ndaj Benficës, Bournemouthit, Bolognas dhe Ferencvárosit – por skuadra udhëhiqet nga një ide e qartë. Kur e sheh të luajë, dallon një projekt dhe kupton se çfarë synon të bëjë në fushë. E tepron me lojën e bazuar te zotërimi i topit? Ndoshta. Varet shumë nga tre-katër lojtarë kyç? Pa dyshim. Megjithatë, renditja i jep të drejtë.

Amorim shkon në pauzën e kombëtareve në zonën Champions, me katër pikë më shumë se skuadra e vendit të gjashtë. Në kampionat ka fituar katër nga pesë ndeshjet e fundit dhe, me 24 pikë në 11 javë, është në rrugën e duhur për të grumbulluar 83 pikë deri në fund të sezonit, një shifër aspak e vogël. Këto statistika e vendosin në nivelin e trajnerëve që kanë drejtuar Milanin në historinë e tij të afërt. Gjatë dekadës së fundit, vetëm Pioli ka bërë më mirë, madje në tri raste. Në sezonin 2020-21, pas 11 ndeshjesh, Milani i tij kryesonte renditjen me 27 pikë. Në sezonin 2021-22, atë që përfundoi me fitimin e titullit kampion, kishte grumbulluar plot 31 pikë. Ndërsa në sezonin 2022-23, pas fitores në derbin e shtatorit, kishte 26 pikë. Të gjitha skuadrat e tjera të Milanit kanë pasur rezultate më të dobëta se ky Milan i Amorimit. Një vit më parë, Allegri kishte 22 pikë, po aq sa Pioli në sezonin e tij të fundit kuqezi, ndërsa Fonseca, në vitin 2024, kishte grumbulluar vetëm 17 pikë. Edhe më herët, me shifra akoma më të ulëta, Giampaolo kishte 13 pikë në vitin 2019, Gattuso 21 në vitin 2018 dhe Montella 16 në vitin 2017. Në krahasim me paraardhësit e tij, Amorim del me një bilanc mjaft pozitiv.

Sigurisht, në Xhenova gjërat mund të kishin shkuar keq. Në Marassi, Milani ka goditur vetëm dy herë në portë (kundrejt pesë goditjeve të kundërshtarit) dhe në të dyja rastet ka shënuar gol. Një gjë e tillë nuk ndodh çdo ditë. Ka vuajtur përballë El Shaaraëy-t dhe nuk ka pësuar gol nga Osmajic vetëm falë një pozicioni jashtë loje të përcaktuar për… një këmbë. Futbolli kështu është: herë të buzëqesh fati, herë të kthen shpinën, dhe kjo jo domosdoshmërisht varet nga meritat apo gabimet e tua. Me pak fjalë, Milani i Amorimit është një skuadër e veçantë, që karakterizohet nga ulje-ngritjet, por arrin të ruajë vazhdimësinë e rezultateve në kampionat, edhe nëse për këtë duhet të sakrifikojë Europa League-n..

Atëherë, pse ky trajner 41-vjeçar portugez është kritikuar kaq shumë? Ndoshta bëhet fjalë për një distancë ideologjike, madje thuajse kulturore. ‘E di që e keni të vështirë të pranoni që një trajner i huaj të vijë këtu dhe t’ju tregojë se si duhet luajtur futboll’-deklaronte Amorim në fillim të sezonit, me një dozë të mirë thumbimi. Ndoshta arsyeja lidhet edhe me zakonin për të mos pasur besim te kjo skuadër, e cila prej vitesh krijon iluzione dhe më pas zhgënjen: fiton në Madrid dhe në derbi, por lë pikë ndaj gjysmës së skuadrave që luftojnë për mbijetesë. Ndoshta gjithçka lidhet me sinqeritetin e tij. Amorim nuk i ka kursyer kurrë kritikat, as ndaj vetes dhe as ndaj skuadrës, në daljet përpara gazetarëve. Ai i ka pranuar gabimet dhe, në disa raste, i ka vënë hapur në dukje. ‘Nuk ishim gati të luanim futboll në nivel profesionist. Jemi shumë larg të qenit një skuadër e fortë’-deklaronte ai pas ndeshjes me Ferencvárosin. Madje, edhe pas derbit, kur gjysma e Milanos po vendoste nëse do të shkonte në pub për të festuar apo do të qëndronte zgjuar për ta rishikuar ndeshjen, Amorim mundohej të ulte euforinë: ‘Do të kemi ende ulje-ngritje”.

Pushimi i kombëtareve do të sjellë tashmë një qetësi të çuditshme: Amorim u ka dhënë lojtarëve një javë pushim, diçka që ndodh rrallë gjatë një ndërprerjeje dyjavore të kampionatit. Më pas do të vijnë disa sfida me kurthe të paparashikueshme. Fillimisht, Milan-Frosinone, më pas transferta në Pire, ku fitorja do të jetë e domosdoshme për të mbajtur gjallë shpresat në Europa League. Vetëm katër ditë më vonë, skuadrën e pret transferta në Kaljari dhe më pas, në letër, një ndeshje më e lehtë ndaj Parmës në San Siro (edhe pse, duke parë Milanin e viteve të fundit…). Në prag të Krishtlindjeve, kalendari rezervon edhe tri përballje të tjera: Milan-Sunderland, Napoli-Milan dhe Milan-Como. Në letër, një kalendar aspak i keq. Por, nëse mendoni se mund të parashikoni se çfarë do të bëjë ky Milan që po merr hov, atëherë jeni optimistë të pandreqshëm.

Top Channel