Iris Luarasi vlerëson RTSH-në për sigurimin e fondit për digjitalizimin e arkivës: Meriton përgëzime të veçanta
Zv.kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Iris Luarasi, ka përgëzuar drejtuesit e Radio Televizionit Shqiptar për sigurimin e fondit për digjitalizimin e arkivës, si dhe për nivelin e realizimit të buxhetit.
Gjatë diskutimeve në komision, Luarasi vlerësoi se RTSH-ja ka shënuar një performancë pozitive në administrimin e fondeve, duke bërë të ditur se deri në muajin tetor kishte realizuar 84% të tyre.
“RTSH-ja ka pasur, ndryshe nga institucionet e tjera, 84% të realizimit të fondeve deri në tetor, një tregues shumë i mirë performance.
Ju përgëzoj edhe për gjetjen e një fondi për digjitalizimin e arkivës. Një nga detyrat që ka lënë ky komision është pikërisht kjo. Fakti që ju e keni gjetur vetë këtë fond është një nga gjërat që meriton jashtëzakonisht shumë përgëzime”, u shpreh ajo.
Megjithatë, Luarasi ngriti si shqetësim ndarjen e buxhetit, duke vënë në dukje se pjesa më e madhe e tij shkon për shpenzime korrente, ndërsa fondet e parashikuara për investime mbeten të kufizuara, në vetëm 50 milionë lekë.
RTSH ka arritur një marrëveshje me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF) për digjitalizimin e plotë të arkivës së tij 75-vjeçare. Sipas drejtoreshës së përgjithshme, Eni Vasili, Fondi do të financojë dhe realizojë projektin, pas kërkesave të vazhdueshme të drejtuesve të televizionit publik dhe studimeve të kryera për këtë qëllim. Marrëveshja synon të shpëtojë nga degradimi mijëra orë materiale filmike dhe televizive, duke ruajtur për brezat e ardhshëm një pjesë të rëndësishme të memories kombëtare. Vasili e ka cilësuar këtë zhvillim si një moment historik jo vetëm për RTSH-në, por edhe për trashëgiminë dhe kujtesën kombëtare të shqiptarëve.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



