Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka reaguar në rrjetet sociale pas vendimit të Ivan Balliut për t’u tërhequr nga Kombëtarja shqiptare.
Përmes një mesazhi emocionues, kreu i FSHF-së ka vlerësuar kontributin e mbrojtësit, duke e cilësuar atë një profesionist shembullor dhe një futbollist që e përfaqësoi fanellën kuqezi me krenari dhe përkushtim.
Duka theksoi se Balliu ishte gjithmonë i gatshëm për të dhënë kontributin e tij për Shqipërinë, ndërsa vendimin për t’i dhënë fund aventurës me Kombëtaren e cilësoi si mbylljen e një kapitulli të rëndësishëm në karrierën e tij.
“Ivan Balliu ishte gjithmonë gati për Kombëtaren. Një mbrojtës me cilësi të rralla, një profesionist shembullor dhe një njeri që e veshi fanellën kuqezi me dashuri e krenari.
Me vendimin për t’u tërhequr nga Kombëtarja, Ivan mbyll një kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij.
Ivan, të falënderoj nga zemra që zgjodhe Shqipërinë, që përfaqësove rrënjët e tua dhe që i dhe kaq shumë Kombëtares. Kam shumë respekt për ty, si futbollist dhe si njeri. Uroj që ky rrugëtim me Shqipërinë të ketë qenë po aq i veçantë për ty sa ka qenë për ne të të kishim në ekip.
Emrin tënd e ke shkruar me shkronja të mëdha në historinë e Kombëtares sonë. Faleminderit, Ivan! ¡Gracias, Ivan!”, shkroi Duka.
