COP31 në Turqi: Elektrifikimi, lëndët djegëse fosile dhe financimi i klimës në qendër të negociatave

Samiti i OKB-së për klimën, COP31, nis sot, më 9 nëntor, në Antalia të Turqisë, në një kohë kur bota po i afrohet rrezikshëm dëmeve të pakthyeshme nga ndryshimet klimatike.
Për dy javë, deri më 20 nëntor, udhëheqësit botërorë do të negociojnë për uljen e emetimeve, tranzicionin energjetik dhe financimin e vendeve më të prekura nga kriza klimatike.
Kush drejton COP31?
Turqia mban presidencën dhe organizon samitin, ndërsa Australia do të drejtojë negociatat, sipas një marrëveshjeje të paprecedentë mes dy vendeve.
Presidenca përcakton axhendën e veprimeve vullnetare, ndërsa axhenda zyrtare e negociatave mbikëqyret nga Konventa Kuadër e OKB-së për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC).
Vendimet kërkojnë konsensus, një mekanizëm që shpesh u ka mundësuar vendeve prodhuese të naftës dhe gazit të dobësojnë angazhimet për largimin nga lëndët djegëse fosile.
Elektrifikimi dhe objektivi 35% deri në vitin 2035
Elektrifikimi pritet të dominojë diskutimet. Turqia propozon objektivin “35 deri në 35”, që synon rritjen e pjesës së energjisë elektrike në kërkesën globale për energji nga rreth 20% aktualisht në 35% deri në vitin 2035.
Sipas Climate Action Tracker, përmbushja e këtij objektivi kërkon përshpejtim katërfish të elektrifikimit. Politikat aktuale do ta çonin këtë pjesë vetëm në 28% deri në vitin 2035, në një trajektore që lidhet me ngrohje globale rreth 2,5°C deri në vitin 2100.
Tranzicioni nga lëndët djegëse fosile
Largimi nga lëndët djegëse fosile mbetet një çështje përçarëse, por nuk është përfshirë në axhendën zyrtare të negociatave.
Në COP28, vendet u angazhuan për herë të parë për këtë tranzicion, por përparimi ka ngecur. Turqia, ku qymyri ishte burimi kryesor i prodhimit të energjisë elektrike vitin e kaluar, këmbëngul se lëndët fosile mbeten të nevojshme për sigurinë energjetike.
Ndërkohë, kriza energjetike e shkaktuar nga lufta me Iranin ka nxitur shumë vende importuese të naftës dhe gazit të përshpejtojnë investimet në energjinë e rinovueshme.
BE-ja, që synon uljen e emetimeve me 90% deri në vitin 2040, kërkon përshpejtimin e angazhimeve për trefishimin e energjisë së rinovueshme dhe dyfishimin e eficiencës energjetike deri në vitin 2030.
Metani dhe objektivat e Marrëveshjes së Parisit
COP31 nis gjithashtu vlerësimin e dytë global të përparimit drejt objektivave të Marrëveshjes së Parisit.
OKB-ja paralajmëroi në shtator se bota është në rrugën e tejkalimit të kufirit të ngrohjes prej 1,5°C.
“Ne nuk do t’i shmangemi realitetit dhe nuk do t’i ulim ambiciet tona”, deklaroi ministri turk i Mjedisit dhe presidenti i COP31, Murat Kurum.
Një tjetër përparësi është reduktimi i metanit, gaz që ka efekt ngrohës rreth 80 herë më të fuqishëm se COâ‚‚ në një periudhë 20-vjeçare.
Mbi 150 vende janë angazhuar të ulin emetimet e metanit me të paktën 30% deri në vitin 2030, krahasuar me vitin 2020.
SHBA-ja nuk do të ketë delegacion zyrtar, pas vendimit të presidentit Donald Trump për të tërhequr vendin nga Marrëveshja e Parisit dhe nisjes së procesit të tërheqjes nga UNFCCC.
Megjithatë, një delegacion prej 19 anëtarësh të Kongresit amerikan do të marrë pjesë në COP31, me synimin për të shqyrtuar mundësitë e rikthimit të angazhimit të SHBA-së në politikat klimatike dhe energjetike, pas fitores së demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit.
Financimi klimatik: Kush do të paguajë?
Financimi pritet të jetë ndër çështjet më të debatueshme, veçanërisht për vendet në zhvillim dhe shtetet ishullore të prekura nga katastrofat klimatike.
Në COP29, vendet e zhvilluara ranë dakord të mobilizojnë të paktën 300 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2035 për vendet në zhvillim, si pjesë e një objektivi më të gjerë prej 1,3 trilionë dollarësh.
Në COP30 u ra dakord për të paktën trefishimin e financimit për përshtatjen klimatike, por pa përcaktuar qartë burimet dhe mënyrën e shpërndarjes.
Sipas Programit të OKB-së për Mjedisin, edhe trefishimi i financimit aktual publik ndërkombëtar do të mbulonte vetëm 23-29% të nevojave të vendeve në zhvillim.
Protestat dhe pjesëmarrja e shoqërisë civile
Paralelisht me samitin do të zhvillohet Samiti Popullor për Klimën, ku janë regjistruar mbi 1 mijë pjesëmarrës dhe 300 organizata nga 100 vende.
Një protestë e madhe është planifikuar më 14 nëntor. Organizatat mjedisore turke kërkojnë më shumë transparencë dhe përfshirje në negociata, ndërsa shprehin shqetësim për kufizimet e protestave dhe projektet e reja të centraleve me qymyr. / Euronews, AFP
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









