Vendosni fjalën kyçe....

Tragjedi në brigjet e Kretës, 20 emigrantë të vdekur brenda tre ditësh, 105 persona të shpëtuar



Të paktën 20 emigrantë kanë humbur jetën gjatë tre ditëve të fundit në përpjekje për të mbërritur në Greqi, pas dy incidenteve me varka në jug të ishullit të Kretës. Ndërkohë, autoritetet greke dhe agjencia evropiane e kufirit Frontex kanë zhvilluar disa operacione kërkim-shpëtimi, gjatë të cilave janë shpëtuar 105 persona, përcjell Euronews.

Rasti më i fundit u regjistrua në orët e para të së hënës, kur një anije mallrash me flamur maroken zbuloi një varkë me emigrantë, rreth 15 milje detare në jug-jugperëndim të zonës Kaloi Limenes, në Kretë. Pas koordinimit me Qendrën e Përbashkët të Koordinimit të Shpëtimit, Roja Bregdetare greke ndërhyri duke shpëtuar 18 persona dhe duke nxjerrë 12 trupa të pajetë nga varka.

Në të njëjtën zonë u zhvilluan edhe dy operacione të tjera. Një avion pa pilot i Frontex-it lokalizoi një varkë me rreth 40 persona, ndërsa një tjetër avion zbuloi një mjet lundrues me 47 emigrantë. Të gjithë personat në këto dy varka u shpëtuan nga anijet e agjencisë evropiane.

Ndërkohë, një tjetër tragjedi ishte regjistruar të premten. Autoritetet portuale morën njoftim për një varkë në vështirësi, rreth gjashtë milje detare në jugperëndim të Kaloi Limenes. Rimorkiatori “Pyrrhos” mbërriti në vendngjarje dhe mori në bord 28 shtetas sudanezë, si dhe trupin e një personi.

Sipas dëshmive të të mbijetuarve, dy persona të tjerë kishin rënë në det dhe rezultonin të zhdukur. Për shkak të kushteve të këqija atmosferike dhe erërave të forta nga veriu, operacioni i kërkimit dhe tërheqjes së varkës u vështirësua. Kur mjeti lundrues u lokalizua sërish në orët e para të mëngjesit, brenda tij u gjetën edhe shtatë trupa të tjerë.

Në lidhje me këtë rast, autoritetet greke kanë arrestuar dy shtetas sudanezë, 28 dhe 16 vjeç, të cilët janë identifikuar nga pasagjerët e tjerë si personat që dyshohet se drejtonin operacionin e trafikimit. Ata akuzohen për hyrje të paligjshme në vend, lehtësim të hyrjes së paligjshme, krijim të organizatës kriminale dhe shkaktim të vdekjes.

Kreta është kthyer në një nga pikat kryesore të hyrjes në Bashkimin Evropian për emigrantët që nisen nga Libia dhe përpiqen të kalojnë detin drejt Greqisë.