Mbetet ende pa përgjigje kërkesa që avokati Plarent Ndreca i ka drejtuar Drejtorisë së Burgjeve më 7 nëntor ku ka kërkuar dokumentacionin mjekësor të Erion Veliajt për ndërhyrjen e nevojshme në këmbë të këtij të fundit.

Në kërkesën e tij, Ndreca ka theksuar disa herë se gjendja e këmbës së kryebashkiakut të Tiranës, i cili ndodhet në burgun e Fierit, kërkon “vendimmarrje të menjëhershme lidhur me ndërhyrjen.”

“Gjendja shëndetësore e klientit tim nuk mund të presë deri ditën e hënë dhe as t'u nënshtrohet afateve të zakonshme administrative”, thuhet në kërkesë.

Më tej, rikujton se ekzaminimet janë kërkuar që prej një muaji, por u kryen vetëm më 7 nëntor kur u konstatua se nevojitet ndërhyrja.

“Kërkesa ime është vetëm një: të më vini menjëherë në dispozicion dokumentacionin mjekësor të klientit tim, z. Erion Veliaj, përfshirë raportin e mjekut ortoped të Spitalit Memorial Fier, rezultatet dhe imazhet e ekzaminimeve të kryera, diagnozën dhe rekomandimet për ndërhyrjen kirurgjikale”, cilësohet në kërkesën e Ndrecës.