Një ngjarje e rëndë që tronditi Poloninë ka përfunduar me vdekjen e 24-vjeçarit Mihal Oksinski, i cili vrau nëntë persona në Krakov. I riu hapi zjarr pasditen e së shtunës, duke ekzekutuar gjashtë persona të moshës 32 deri në 61 vjeç, ndërsa më herët kishte vrarë edhe babanë, nënën dhe motrën e tij.
Autoritetet polake njoftuan mëngjesin e së hënës se 24-vjeçari ka ndërruar jetë. Ai u neutralizua pas një përplasjeje të armatosur me dy efektivë policie, momentet e së cilës janë publikuar edhe në një video të re.
Në pamje shihet sesi dy policët zbresin nga patrulla dhe përballen nga afër me autorin, pasi automjeti me të cilin ai udhëtonte përplaset me një makinë tjetër. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, të dy efektivët plagosen, por njëri prej tyre arrin të qëllojë 24-vjeçarin dhe ta neutralizojë.
Njëri prej policëve ka marrë plagë më të rënda dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ai ndodhet në gjendje kritike dhe po lufton për jetën.
Ndërkohë, Prokuroria e Krakovit ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, e cila është cilësuar si një akt terrorist. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë motivet që e shtynë të riun të kryente masakrën.
Gjatë kontrolleve në banesën ku jetonte 24-vjeçari, në zonën e Ostroeiec Śëiętokrzyski, ku u gjetën të vrarë edhe tre familjarët e tij, autoritetet sekuestruan një sasi të konsiderueshme municionesh dhe 11 armë zjarri.
