Personi i armatosur, i cili vrau gjashtë persona në të shtënat me armë zjarri në Krakov dhe në qytetin lindor Ostrowiec Swietokrzyski të Polonisë, ka ndërruar jetë në spital, njoftoi të hënën policia.
I dyshuari ndërroi jetë rreth orës 04:30 sipas kohës lokale, pasi nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, bëri të ditur guvernatori rajonal Krzysztof Kleczar për televizionin TVN24.
Të shtënat ndodhën pasditen e së shtunës, pranë Sheshit Kryesor të Krakovit, një nga zonat më të frekuentuara turistike të qytetit.
Autoritetet polake konfirmuan të shtunën se nga të shtënat mbetën të vrarë gjashtë persona, përfshirë një shtetas britanik, ndërsa 16 të tjerë u plagosën. Mes të plagosurve kishte pesë shtetas të huaj, dy policë dhe vetë i dyshuari.
Tri trupa të tjerë u gjetën në banesën e të dyshuarit. Policia identifikoi viktimat si prindërit dhe motrën e tij, të gjithë pjesëtarë të familjes së 25-vjeçarit.
Policia bëri të ditur se i dyshuari u arrestua pasi u qëllua gjatë përplasjes me forcat e rendit dhe u dërgua në spital për ndërhyrje kirurgjikale.
“Që nga fillimi, gjendja e tij ishte jashtëzakonisht e rëndë dhe u cilësua kritike”, deklaroi Kleczar, duke shtuar se mjekët kryen të paktën tri ndërhyrje kirurgjikale në përpjekje për t’i shpëtuar jetën.
Të dielën, prokuroria polake nisi një hetim për terrorizëm lidhur me të shtënat vdekjeprurëse.

