Buxheti i vitit 2027 për Ministrinë e Mjedisit parashikon 3,23 miliardë lekë, nga të cilat 1 miliard lekë janë planifikuar për investime.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se financimi do të mbështesë investimet madhore, zhvillimin e infrastrukturës mjedisore, mbrojtjen e burimeve natyrore dhe forcimin e monitorimit mjedisor.
Jaupaj tha se fondet e parashikuara synojnë të çojnë përpara projekte konkrete që kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së mjedisit dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm.
Ministri Jaupaj nënvizoi se këto investime do të shërbejnë gjithashtu për përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian, me synim krijimin e një mjedisi më të pastër dhe mbrojtjen e pasurive natyrore të vendit.
Buxheti 2027 mbështet zbatimin e projekteve konkrete për zhvillimin e infrastrukturës mjedisore dhe përmirësimin e aksesit në natyrë.
Prioritet përfshijnë përfundimin e Qëndrës Multifunksionale në Parkun Kombëtar e lumi Vjosa, faza II e Eko-Park Ulëz, krijimi i ballkoneve panoramike në rrjetin e Zonave të Mbrojtura, ndërtimin e pedonales në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, si dhe investime në infrastrukturën e menaxhimit të integruar të mbetjeve në Elbasan.
Sa i përket monitorimit mjedisor gjatë 2027 synohet forcimi i monitorimit të cilësisë së ajrit përmes stacioneve të monitorimit, pajisja e Rrjetit Kombëtar të Monitorimit të Zhurmës me pajisje matëse.
Në fokus do të jetë edhe krijimi i Agjencisë Kombëtare të Klimës dhe Fondit Kombëtar të Mjedisit, si dhe zbatimi i Programit Kombëtar “Korpusi i Gjelbër Shqiptar”.