Qytete të shumta në mbarë botën janë ndriçuar nga festimet e Diwalit, festivalit tradicional hindu të dritave, i cili këtë vit u shënua më 8 nëntor.
Nga India në Evropë, Amerikë dhe Azi, pjesëtarë të komuniteteve indiane dhe banorë vendas morën pjesë në aktivitete festive, duke ndezur llamba tradicionale, organizuar programe kulturore dhe dekoruar hapësirat publike me drita shumëngjyrëshe.
Festime u organizuan në qytete si Londra, Karaci, Colombo, Shangai dhe Karakas.
Në Londër, qytetarët u mblodhën në tempullin Neasden, ku ceremonitë fetare, muzika dhe fishekzjarrët shënuan këtë festë.
Në Colombo të Sri Lankës, aktivitetet përfshinë lutje dhe programe muzikore, ndërsa në Karakas të Venezuelës u organizuan shfaqje të vallëzimit tradicional indian.
Edhe në Karaçi të Pakistanit, pjesëtarët e komunitetit hindu festuan në tempullin Shri Swaminarayan, duke ndezur llamba tradicionale dhe duke ruajtur zakonet e tyre.
Diwali, i njohur ndryshe si festivali i dritave, është një nga festat më të rëndësishme të hinduizmit. Ai simbolizon fitoren e dritës mbi errësirën dhe të së mirës mbi të keqen.
Festimet zakonisht zgjasin disa ditë dhe shoqërohen me takime familjare, dhurata, ushqime tradicionale, lutje dhe fishekzjarrë.
Përtej rëndësisë fetare, Diwali është shndërruar edhe në një ngjarje të rëndësishme kulturore ndërkombëtare, duke bashkuar komunitete të ndryshme dhe duke promovuar traditat indiane në mbarë botën.