“Faleminderit që zgjodhe rrënjët e tua” – Përshëndetja speciale për mbrojtësin që u tërhoq nga Kombëtarja
Ivan Balliu ka vendosur të mbyllë një kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij, duke u tërhequr nga Kombëtarja shqiptare.
Lamtumira e mbrojtësit është shoqëruar me një mesazh plot emocion dhe mirënjohje nga Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ku vlerësohen kontributi, profesionalizmi dhe përkushtimi i tij ndaj fanellës kuqezi.
Balliu ka qenë një nga futbollistët që ka përfaqësuar Shqipërinë me krenari, duke dhënë kontributin e tij në krahun e djathtë të mbrojtjes. Cilësitë në fushë dhe serioziteti në çdo grumbullim e kanë bërë një futbollist të vlerësuar në ambientin e Kombëtares.
Në mesazhin kushtuar tij, theksohet se Ivan ishte gjithmonë i gatshëm për të përfaqësuar Shqipërinë, duke zgjedhur të luante për vendin e rrënjëve të tij.
“Faleminderit nga zemra që zgjodhe Shqipërinë, që përfaqësove rrënjët e tua dhe që i dhe kaq shumë Kombëtares. Kam shumë respekt për ty, si futbollist dhe si njeri”, shkruan Armando Duka.
Në fund, vlerësimi mbyllet me një mesazh domethënës: emri i Ivan Balliut është shkruar me shkronja të mëdha në historinë e Kombëtares shqiptare.
Një kapitull që mbyllet, por që lë pas kujtime dhe mirënjohje për një futbollist që veshi fanellën kuqezi me krenari.

REAGIMI I PLOTË
Ivan Balliu ishte gjithmonë gati për Kombëtaren. Një mbrojtës me cilësi të rralla, një profesionist shembullor dhe një njeri që e veshi fanellën kuqezi me dashuri e krenari.
Me vendimin për t’u tërhequr nga Kombëtarja, Ivan mbyll një kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij.
Ivan, të falënderoj nga zemra që zgjodhe Shqipërinë, që përfaqësove rrënjët e tua dhe që i dhe kaq shumë Kombëtares. Kam shumë respekt për ty, si futbollist dhe si njeri. Uroj që ky rrugëtim me Shqipërinë të ketë qenë po aq i veçantë për ty sa ka qenë për ne të të kishim në ekip.
Emrin tënd e ke shkruar me shkronja të mëdha në historinë e Kombëtares sonë.
Faleminderit, Ivan! Gracias, Ivan!




