Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për ndërhyrje në projektet që lidhen me zonat e mbrojtura dhe për ndryshime ligjore që, sipas saj, janë bërë për t’u përshtatur me vendimet e marra më parë.
Gjatë diskutimeve në Komisionin për Kulturën, Zhupa deklaroi se SPAK ka nisur procedim për librin “Albanian Files” dhe pretendoi se hetimi i qoftë edhe një prej projekteve të përmendura do të mjaftonte për të vënë Ramën përpara përgjegjësisë penale.
“Nëse vetëm një projekt heton, mjafton që Rama të shkojë në burg, sepse janë projekte të vendosura me telefon. I ka marrë në telefon vetë arkitektët, pastaj ka dhënë lejet. Ka dhënë lejet në zonat e mbrojtura, pastaj ka ndryshuar ligjin. Këto tregojnë për një shtet të kapur, ku kreu i tij është vetë kryeministri”, u shpreh Zhupa.
Duke iu referuar librit “Albanian Files”, deputetja e cilësoi atë si një dokument që, sipas saj, përmban fakte që mund të përdoren kundër kryeministrit.
“Albanian Files, një libër që nuk do të kishte një aktakuzë më të mirë se kjo që e ka botuar vetë Edi Rama. Edhe të donim, nuk do t’i mblidhnim dot të gjitha këto fakte. Është arroganca e një njeriu që mendon se drejton drejtësinë, por që i ka ardhur fundi”, deklaroi ajo.
Zhupa kritikoi gjithashtu edhe qëndrimet dhe veprimet e kryeministrit ndaj protestuesve, duke përmendur gjobat dhe paketat ligjore që, sipas saj, synojnë të kufizojnë protestat.
“Ju ka hyrë tmerri, kjo duket në të gjithë veprimtarinë e Ramës me gjoba dhe paketa ligjore kundër protestuesve. Mos i kurseni, është urdhri që jepte komandanti kundër qeverisë shqiptare. Sjellje të një njeriu të tmerruar, që nuk pyet asgjë për të ruajtur karrigen e tij”, përfundoi Zhupa.
