Policia e Tiranës ka zbardhur dy grabitje me armë zjarri të kryera në filiale bankare në kryeqytet, duke arrestuar një 50-vjeçar të dyshuar si autor të ngjarjeve.
Gjatë operacionit të koduar “Gjuetari i Bankave”, në pranga ka rënë shtetasi Robert Duka., 50 vjeç, i dyshuar për dy vjedhje nën kërcënimin e armës, të ndodhura më 2 qershor 2026 dhe 2 nëntor 2026.
Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan 8 200 euro, veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së grabitjeve dhe dy telefona celularë.
I pyetur mbi veprimtarinë kriminale të 50-vjeçarit, Drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Turba tha se personi dyshohet se ka vepruar edhe në një shtet fqinj.
Ndërkohë, në një operacion tjetër të zhvilluar në aeroportin e Rinasit, në një valixhe u gjetën dy paketime me material bimor, të dyshuar si lëndë narkotike Cannabis sativa.
Pronari i dyshuar i valixhes një 51-vjeçar grek ishte larguar nga aeroporti menjëherë pas mbërritjes. Policia bëri të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij në rrugën e Durrësit, ku u arrestua në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Gjithashtu, dje u kapën dhe u ndaluan 3 të rinjtë ndaj të cilëve ishte caktua masa e sigurisë “Arrest me burg”.
“Si rezultat i hetimeve të thelluara, të kryera me metoda speciale, nga strukturat hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, u finalizua operacioni policor i koduar “Gjuetari i Bankave”.
Në kuadër të këtij operacioni u identifikua dhe u ndalua shtetasi R. D., alias A. D., 50 vjeç, i dyshuar si autor i dy vjedhjeve nën kërcënimin e armës së zjarrit, të kryera më datë 02.06.2026 dhe 02.11.2026, në dy filiale bankare në Tiranë.
Identifikimi i tij u arrit falë punës profesionale hetimore, përdorimit të sistemeve teknologjike për identifikimin e personave pavarësisht maskimit, si dhe analizimit të veshjeve të përdorura gjatë vjedhjeve.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan ;
– 8 200 euro,
– Veshje të përdorura gjatë kryerjes së veprave penale
– 2 aparate celularë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve.
Ndërkohë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fly”, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas dhe autoritetet doganore, bazuar në informacionet e siguruara ushtruan kontroll në bagazhet e pasagjerëve të linjës ajrore Athinë–Rinas.
Gjatë kontrollit, në një valixhe u gjetën dy paketime me material bimor, të dyshuar si lëndë narkotike Cannabis sativa.
Pas veprimeve intensive hetimore u identifikua poseduesi i dyshuar i valixhes, shtetasi grek M. P., 51 vjeç, i cili ishte larguar nga aeroporti menjëherë pas mbërritjes.
Shërbimet e Policisë bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij në rrugën e Durrësit, ku u arrestua në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Lënda e dyshuar narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, dje, nga Strukturat hetimore, u kapën dhe u ndaluan 3 shtetas me masë sigurie “Arrest me burg” konkretisht;
– O.K. 29 vjeç
– G.S. 28 vjeç
– S.H. 20 vjeç”– njofton policia.












