Një avion ushtarak rus ka mbërritur të dielën në Aeroportin Ndërkombëtar Ben Gurion në Izrael, duke ngritur pikëpyetje mbi qëllimin e vizitës. Një nga skenarët e raportuar është mundësia e një misioni për evakuimin e diplomatëve rusë dhe familjarëve të tyre, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Sipas gazetës Jerusalem Post, bëhet fjalë për një avion Tupolev Tu-154M, i cili fluturonte në emër të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë dhe është subjekt i sanksioneve ndërkombëtare që prej vitit 2023.

Të dhënat e FlightRadar24 tregojnë se avioni është nisur nga baza ushtarake Chkalovsky, pranë Moskës, ka kaluar mbi Detin e Zi dhe nëpër hapësirën ajrore turke, përpara se të hynte në Izrael nga Mesdheu. Pas një rrotullimi mbi territorin izraelit, ai u ul në Ben Gurion rreth orës 19:00.

Avioni i përket Njësisë së 223-të të Aviacionit të Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, e cila është gjithashtu nën sanksionet amerikane. Departamenti Amerikan i Shtetit e ka akuzuar këtë njësi për transportimin e personelit dhe pajisjeve të grupit mercenar Wagner në zonat ku ai operonte. Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë një shpjegim zyrtar për misionin e avionit, ndërsa skenari i evakuimit mbetet i pakonfirmuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: