Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Julian Shehu, ka dalë në konferencën për shtyp nga “Shtëpia e Futbollit”, në prag të dy sfidave të fundit të Ligës së Kombeve ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë.
Futbollisti kuqezi ka komentuar ndryshimet në lojën e Shqipërisë pas ardhjes së trajnerit Rolando Maran, duke vënë në dukje se skuadra po aplikon një futboll më ofensiv, ndërsa theksoi rëndësinë e zbatimit të detyrave taktike. Sipas Shehut, ndryshimet e bëra nga tekniku italian kanë dhënë rezultatet e para pozitive.
“Mendoj se mënyra se si po luan ekipi, në një stil më ofensiv, ka dhënë frytet e veta. E rëndësishme është të ndihemi mirë dhe të respektojmë detyrat që na jep trajneri”, u shpreh mesfushori.
I pyetur për vështirësinë e ruajtjes së vendit të parë në grup, Shehu theksoi se të dyja përballjet kërkojnë përqendrim maksimal, ndërsa presionin e konsideroi pjesë normale të futbollit profesionist.
“Çdo ndeshje ka vështirësitë e veta. Duhet të japim maksimumin. Presioni është pjesë e lojës. Jemi profesionistë dhe dimë si ta përballojmë. Duhet të luajmë për të marrë rezultatin maksimal. Patjetër që objektivi është të jemi në krye”, deklaroi ai.
Sa i përket përballjes me Finlandën, mesfushori beson se faktori fushë dhe mbështetja e tifozëve mund të bëjnë diferencën për kuqezinjtë.
“I vetmi ndryshim është se këtë herë luajmë në shtëpi. Mbështetja e tifozëve është një shtysë e madhe për ne që të marrim maksimumin nga kjo ndeshje”, theksoi Shehu.
Ai foli gjithashtu për kërkesat e reja taktike të Maran, duke zbuluar se ndryshimet nuk prekin vetëm një repart, por të gjithë skuadrën.
“Besoj se detyrat kanë ndryshuar për të gjithë ekipin. Duhet të bëjmë më shumë presion. Jemi gati të japim maksimumin në këto dy sfida”, u shpreh futbollisti.
Në fund, Shehu u pyet edhe për rolin e tij në skuadër, duke qenë se me trajnerin e mëparshëm, Sylvinho, kishte pasur më shumë hapësira si titullar. Mesfushori ia la në dorë vendimmarrjen stafit teknik, duke theksuar se përkushtimi ndaj fanellës kuqezi mbetet i pandryshuar.
“Këto janë zgjedhje që i bën trajneri. Për aq kohë sa je pjesë e Kombëtares, duhet të japësh maksimumin. Sa herë që jemi në fushë, do të bëjmë më të mirën”, përfundoi Julian Shehu.
Shqipëria kryeson Grupin C1 me nëntë pikë dhe do të kërkojë të ruajë pozicionin e saj në dy ndeshjet e fundit. Kuqezinjtë presin Finlandën më 12 nëntor, në “Air Albania”, ndërsa më 15 nëntor do të përballen me Bjellorusinë në Budapest.
