Ka nisur sot grumbullimi për dy ndeshjet përmbyllëse të Ligës së Kombeve, në të cilat Shqipëria do të përballet me Finlandën dhe Bjellorusinë. Sfida e parë e 12 nëntorit do të luhet në “Arena Kombëtare”, ndërsa ajo e tri ditëve më pas, ndaj bjellorusëve, në fushë asnjanëse dhe pa tifozë, në Hungari. Sot, në konferencë për shtyp dolën dy lojtarë kuqezinj, Etrit Berisha dhe mesfushori Julian Shehu. Portieri veteran kuqezi iu përgjigj gazetarëve:
Ndaj Finlandës është ndeshje për revansh, si e sheh gjendjen e skuadrës?
Nuk duhet ta marrim si revansh, secila ndeshje ka historikun e vet. Duhet të fokusohemi tek ekipi që kemi. Me këtë rast i ftoj të gjithë tifozët të na përkrahin. E rëndësishme ti kemi tifozët afër. Të shkojmë përpara dhe të mbyllim në vendin e parë.
Nga Finlanda te Finlanda, a ndjen përgjegjësi?
Tani gjërat që kanë ndodhur nuk mund të kthen prapa. Ishte moment ku edhe ndryshoi rrjedha e lojës. Ishte edhe pak fatkeqësi. Pësimi i golit e bëri më të vështirë gjithçka. E kemi kaluar atë moment. Gjithçka e kemi në dorën tonë. Ekipi do të paraqitet mirë sepse dëshira është e madhe.
Në ekipin tuaj nuk keni pësuar gol disa ndeshje…
Faktikisht kanë qenë më tepër se 5 lojëra. Ka qenë moment shumë i mirë që e kam përjetuar për një muaj. Gjithsesi, dua ta vazhdoj këtë edhe me kombëtaren. Për ne është me rëndësi kjo ndeshje e radhës.
Çfarë kemi më shumë se Finlanda?
Kemi lojtarë më kualitativë. Ata kanë lojtarë me eksperiencë. Nuk duhet nënvlerësuar Finlanda. E kemi parë dhe në ndeshjen e fundit, kemi marrë një mësim shumë të mirë. Me San Marinon psh., kuptuam se nuk duhet nënvlerësuar asnjë kundërshtar. Do të luajmë në shtëpi, dëshira është të dalim sa më mirë.
Për Caprile, çfarë mendoni?
Nuk kam ndonjë informacion për këtë çështje.







