Orëndreqësi shqiptar Rexhep Rexhepi ka fituar çmimin më të rëndësishëm të Grand Prix d’Horlogerie de Genève (GPHG), i njohur ndryshe si “Oscari i Botës së Orëve”. Ai u vlerësua për modelin e tij Chronograph Flyback, duke u shpallur ora më e mirë e vitit. Ora është kronografi i parë i krijuar nga marka me emrin e Rexhepit dhe përmban 320 komponentë, mekanizëm të punuar tërësisht në shtëpi dhe një rezervë energjie prej 72 orësh. Modeli i paraqitur në konkurs është realizuar në platin, me një fushë blu prej smalti dhe detaje prej safiri.