Personi në foto është Robert Duka alias Albert Duka, 50-vjeçari nga Vlora i dyshuar si autor i grabitjes së dy bankave të nivelit të dytë në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.
Ngjarja e fundit ndodhi më 2 nëntor, rreth orës 10:45, kur Duka hyri në ambientet e bankës i maskuar, i veshur me rroba të errëta dhe i armatosur.
Fillimisht, ai kërcënoi punonjësin e sigurisë dhe më pas iu drejtua arkëtares, së cilës, nën kërcënimin e armës, i kërkoi t’i dorëzonte paratë.
Pasi arriti të marrë shumën prej 60 mijë eurosh, autori u largua nga vendi i ngjarjes me një monopatinë elektrike, duke zgjedhur një mënyrë të pazakontë arratisjeje për të shmangur përdorimin e një automjeti.
Menjëherë pas grabitjes, policia ngriti pika kontrolli dhe nisi hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, i cili arriti të humbiste gjurmët në rrugët e kryeqytetit.
Ndërkohë ngjarja e parë ndodhi më 2 qershor të këtij viti. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:26, kur personi i maskuar hyri në ambientet e bankës dhe iu drejtua një klienti që po kryente veprime për depozitimin e parave.
Nën kërcënimin e armës, autori dyshohet se i mori klientit një shumë prej 10 deri në 15 mijë paundësh britanikë.







