Boksieri skocez Willy Hutchinson u kurorëzua si kampioni i ri i botës në peshën “light-heavyweight” (pesha deri 92kg), kategoria WBC, pasi triumfoi me vendim unanim të gjyqtarëve ndaj britanikut Joshua Buatsi.
Kjo ishte një hakmarrje për Hutchinson, që pat humbur ndaj Buatsi dy vite më parë. në “Manchester Arena”, të tri gjyqtarët i dhanë fitoren skocezit 28-vjeçar: 115-113, 115-113 dhe 117-112.
Hutchinson (21 fitore e 2 humbje në karrierën e tij) mori kontrollin e duelit që në raundet e para, duke e vënë Buatsi në vështirësi falë shpejtësisë së madhe të duarve dhe lëvizjeve të tij të shkathëta.
Në ndeshjen e mëparshme, Buatsi (20 fitore e 2 humbje) e kishte rrëzuar Hutchinson dy herë, por këtë herë e pati të vështirë të godiste fort rivalin e tij të shpejtë, i cili kundërpërgjigjej me kombinime të shpejta goditjesh.
Në pjesën e dytë të sfidës, Buatsi u tregua më këmbëngulës, duke iu afruar Hutchinson dhe duke lëshuar një sërë goditjesh drejt kokës dhe trupit. Megjithatë, në raundin e fundit, Hutchinson qëndroi në pozicion mbrojtës, i kënaqur me avantazhin që kishte në pikë, dhe arriti një fitore të merituar, duke siguruar brezin vakant të WBC.







