SPAK ka zgjeruar hetimet ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, duke verifikuar disa transferta financiare që dyshohet se mund të kenë lidhje me personat nën hetim për çështjen e AKSHI-t.
Gazetarja Klodiana Lala deklaroi se prokurorët po shqyrtojnë lëvizje financiare të kryera nga kompania e biznesmenit Orest Sota, i cili dyshohet për lidhje me AKSHI-n dhe marrëdhënie të afërta shoqërore me Ergys Agasin.
Sipas gazetares, paratë dyshohet se janë transferuar drejt një kompanie në Gjermani, me të cilën mund të ketë lidhje edhe vëllai i ish-drejtueses së SHISH-it.
“Prokurorët janë duke hetuar disa transferta që janë dërguar nga kompania e Orest Sotës, një prej biznesmenëve i dyshuar për lidhje me AKSHI-n dhe lidhje e ngushtë shoqërore me Ergys Agasit në drejtim të një kompania në Gjermani, aty ku mendohet se është i lidhur me këtë kompani vëllai i Vlora Hysenit. Duhet theksuar se shuma prej 450 mijë eurosh nuk ka mbërritur në destinacion, megjithatë SPAK është duke hetuar rreth dyshimeve që mund të jenë para që rrjedhin nga manipulimi i tenderave në AKSHI dhe më pas janë kaluar tek të afërm të Vlora Hysenit”, tha Lala.












