Ryanair ndryshon rregullat e check-in nga 10 nëntori
Kompania ajrore me kosto të ulët Ryanair do të ndryshojë rregullat e check-in në aeroport duke filluar nga 10 nëntori 2026. Sportelet për check-in do të mbyllen 60 minuta përpara nisjes së planifikuar të fluturimit, nga 40 minuta që është afati aktual.
Pasagjerët që nuk respektojnë afatin e ri mund të mos lejohen të hipin në avion dhe të humbasin të drejtën e rimbursimit të biletës.
Sipas Dublin Live, ndryshimi prek veçanërisht udhëtarët që nuk e kanë kryer regjistrimin online dhe duhet ta bëjnë atë në aeroport.
Ryanair ka konfirmuar se rregulli i ri do të zbatohet për të gjitha fluturimet nga data 10 nëntor 2026.
“Për të gjithë pasagjerët që fluturojnë nga 10 nëntori 2026 e në vazhdim, sportelet e check-in do të mbyllen rreptësisht 60 minuta përpara orës së planifikuar të nisjes, përveç rasteve kur njoftoheni ndryshe përpara fluturimit. Nëse nuk e përfundoni regjistrimin brenda këtij afati, mund t’ju refuzohet hipja në avion pa rimbursim”, njoftoi kompania.
Kjo do të thotë se pasagjerët do të kenë 20 minuta më pak kohë për të përfunduar procedurat e regjistrimit në aeroport.
Kur mund të kryhet check-in online?
Ryanair u kujton pasagjerëve se regjistrimi online mund të kryhet shumë përpara datës së fluturimit.
Për udhëtarët që kanë blerë një vend të caktuar në avion, check-in online hapet 60 ditë përpara nisjes së planifikuar.
Ndërsa pasagjerët që nuk kanë rezervuar një vend specifik mund të përfitojnë caktimin falas të një vendi nëse kryejnë check-in online nga 24 orë deri në 2 orë përpara fluturimit.
Regjistrimi online nuk është i mundur gjatë dy orëve të fundit përpara nisjes së planifikuar.
Tarifa shtesë për ata që nuk regjistrohen online
Pasagjerët që nuk e përfundojnë check-in online të paktën dy orë përpara fluturimit do të duhet të paguajnë një tarifë shtesë për regjistrimin në aeroport, sipas tabelës së tarifave të Ryanair.
“Nëse nuk e përfundoni regjistrimin online më shumë se dy orë përpara nisjes së planifikuar, do t’ju ngarkohet tarifa e check-in në aeroport”, sqaron kompania në kushtet e përgjithshme të transportit.
Përjashtim bëjnë pasagjerët që kanë blerë bileta Plus ose Flexi Plus përpara datës 14 gusht 2025, të cilët mund të kryejnë regjistrimin në aeroport pa pagesë.
Ryanair këshillon udhëtarët të kontrollojnë paraprakisht rregullat e regjistrimit, afatet e kontrollit të sigurisë dhe oraret e hipjes në avion, për të shmangur tarifat shtesë ose humbjen e fluturimit. / Dublin Live, Ryanair
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









