Ardit Bido për RTSH-në: Lajm i mirë mbyllja e “qokave” në programacion. Vlerësoj sigurimin e fondit për digjitalizimin e arkivës
Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, vlerësoi drejtuesit e Radio Televizionit Shqiptar për sigurimin e financimit për digjitalizimin e arkivës dhe për ndërprerjen e praktikës së shpërndarjes së projekteve programore përmes koniunkturave.
Gjatë diskutimit për buxhetin e RTSH-së në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Bido tha se arkiva e televizionit publik përbën një pasuri të çmuar kombëtare dhe pranoi se edhe politika duhet të mbajë përgjegjësi për mungesën e financimit të nevojshëm nga buxheti i shtetit.
“Vlerësoj drejtuesit e RTSH-së në dy drejtime. Së pari, sa i përket sigurimit të fondit për digjitalizimin e arkivës së RTSH-së, që përbën një pasuri të çmuar kombëtare. Këtu besoj se ne, pjesa politike, duhet të bëjmë një mea culpa që për arkivin e RTSH-së nuk kemi garantuar fondin e nevojshëm nga buxheti i shtetit, si pasuri kombëtare që ai është. Për këtë dua t’ju përgëzoj për gjetjen e financimit nga burime të tjera”, u shpreh Bido.
Ai vlerësoi gjithashtu ndryshimet në mënyrën e menaxhimit të programacionit, duke deklaruar se janë mbyllur praktikat e shpërndarjes së projekteve me vlerë të ulët publike.
“Dua t’ju përgëzoj për diçka që nuk duket në publik, por kushdo që është në këtë treg e di, që keni mbyllur ato qokat e programacionit që RTSH-ja shquhej shpesh, që shpërndante projekte majtas-djathtas për programacione të dobëta, që nuk kishin asnjë vlerë publike, por që bëheshin për të krijuar atë rrjetin e koniunkturës”, deklaroi deputeti i PS-së.
Megjithatë, Bido theksoi se RTSH-ja ndodhet në një “qerthull vicioz”, nga i cili, sipas tij, nuk mund të dalë pa reforma të thella dhe pa mbështetjen financiare të shtetit pas zbatimit të tyre. Ai argumentoi se institucioni nuk mund të sigurojë të ardhura të mjaftueshme për të prodhuar përmbajtje cilësore që do të gjeneronte më pas të ardhura të tjera.
Deputeti kërkoi një ndarje të qartë mes detyrimeve ligjore të transmetuesit publik, të cilat duhet të financohen nga buxheti i shtetit ose përmes tarifës së shërbimit, dhe funksionimit të RTSH-së si një media që konkurron në tregun shqiptar.
Gjatë diskutimit, Bido i drejtoi drejtueses së RTSH-së disa pyetje për mënyrën se si do të përdoren fondet shtesë për programacionin e diasporës, si dhe për mbulimin e plotë të territorit të Shqipërisë me sinjalin e transmetuesit publik.
Ai kërkoi të dinte se sa financim nevojitet për të arritur mbulimin 100% të territorit dhe nëse kjo është përfshirë në kërkesat buxhetore të institucionit.
Një tjetër çështje e ngritur prej tij ishte raporti i ri i EBU-së dhe rekomandimet për reformimin e RTSH-së. Bido kërkoi sqarime mbi fazën në të cilën ndodhet procesi, ndryshimet e propozuara dhe problematikat e evidentuara, përfshirë edhe numrin e punonjësve, të cilin e cilësoi të fryrë në raport me aktivitetin dhe pozicionin e RTSH-së në tregun mediatik.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



