Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ka prezantuar në projektbuxhetin e vitit 2027 një ndryshim të modelit të bonusit të bebeve, duke e kaluar mbështetjen nga pagesat e njëhershme në pagesa mujore për pesë vitet e para të jetës së fëmijës. Sipas ministres, skema do të zbatohet për fëmijët që do të lindin nga data 1 korrik 2027 e në vijim dhe propozohet të jepet çdo muaj, në varësi të radhës së lindjes së fëmijës në familje.
Ismaili, duke mbajtur në dorë çorape bebesh, u shpreh: “Nuk jam në pritje të ëmbël, por gjithsesi dua të ndaj me ju një lajm shumë të mirë për bonusin e bebeve”, duke prezantuar detajet e skemës. Shumat e parashikuara janë të ndara sipas numrit të fëmijës: për fëmijën e parë 5,000 lekë në muaj (ose 300,000 lekë në pesë vite); për fëmijën e dytë 7,000 lekë në muaj (420,000 lekë në pesë vite); dhe për fëmijën e tretë 10,000 lekë në muaj (600,000 lekë në pesë vite).
Derisa deri tani bonusi jepej si pagesë njëherë në lindje, me propozimin e ri ai do të shpërndahet në mënyrë mujore përgjatë periudhës pesëvjeçare. Ministrja thekson ndryshimin e modelit përmes krahasimit me sistemin aktual: “Nga bonusi i dikurshëm prej 5 mijë lekësh për regjistrimin e lindjes, te pagesat e njëhershme prej 40 mijë lekësh, 80 mijë lekësh dhe 120 mijë lekësh, sot propozojmë një mbështetje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme mujore për pesë vitet e para të jetës!”
Ministrja e konsideron këtë ndryshim si një mënyrë për të mbështetur familjet në vitet e para të rritjes së fëmijëve dhe përfundon mesazhin e saj me fjalët: “Sepse investimi më i rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë fillon nga fëmijët”. Propozimi është pjesë e projektbuxhetit që po shqyrtohet në Kuvend.
