Rama “ua zhyt” shoferëve! U heq taksën e karburantëve dhe u vë “vinjetën”
Një tjetër skemë tarifimi për drejtuesit e automjeteve po merr formë përmes një nisme të depozituar në Kuvend. Pas parashikimit për heqjen e taksës së qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin nga 1 janari 2027, në skenë vjen vinjeta, një tarifë e re që do të paguhet për përdorimin e rrjetit rrugor kombëtar.
Bëhet fjalë për një projektligj të propozuar nga deputeti i Partisë Socialiste, Andi Qose, me objekt ndryshimin e ligjit nr. 8308, datë 18.03.1998, “Për transportet rrugore”. Nisma synon të ndryshojë mënyrën se si mblidhen të ardhurat nga përdorimi i infrastrukturës rrugore, duke zëvendësuar skemën aktuale të taksimit të karburantit me një sistem të bazuar te vinjeta.
Sipas projektligjit, taksa e qarkullimit prej 27 lekësh për litër karburant parashikohet të hiqet nga 1 janari 2027, ndërsa në vend të saj do të aplikohet tarifa për përdorimin e rrugëve kombëtare.
Kush do të paguajë vinjetën?
Skema e re parashikon përfshirjen e disa kategorive të automjeteve. Detyrimi do të zbatohet për mjetet e lehta dhe autobusët, ndërsa deri më 31 dhjetor 2029 do të përfshihen përkohësisht edhe automjetet e rënda të transportit të mallrave.
Për automjetet e regjistruara në Shqipëri, vinjeta vjetore do të integrohet në taksën vjetore të mjeteve të përdorura. Pra, pronarët e automjeteve shqiptare nuk do të kenë nevojë të kryejnë një blerje të veçantë për tarifën vjetore, pasi ajo do të përfshihet në detyrimin ekzistues.
Ndërkohë, për automjetet me targa të huaja parashikohet një procedurë tjetër. Drejtuesit e tyre do të duhet të pajisen me vinjetë në pikat e kalimit kufitar ose përmes platformave online.
Tarifa të ndryshme, nga një ditë deri në një vit
Projektligji parashikon disa periudha vlefshmërie të vinjetës, duke u dhënë drejtuesve mundësinë të zgjedhin në varësi të kohës dhe shpeshtësisë së përdorimit të rrjetit rrugor.
Për mjetet e lehta, skema parashikon vinjeta ditore, 10-ditore, mujore dhe vjetore, ndërsa dokumenti përcakton edhe kufijtë maksimalë të tarifimit në raport me çmimin vjetor.
Konkretisht, tavanet e propozuara janë:
-
Vinjeta ditore: deri në 9% të tarifës vjetore.
-
Vinjeta javore: deri në 11% të tarifës vjetore.
-
Vinjeta 10-ditore: deri në 12% të tarifës vjetore.
-
Vinjeta 30-ditore: deri në 19% të tarifës vjetore.
-
Vinjeta 60-ditore: deri në 30% të tarifës vjetore.
Vlera konkrete e pagesës do të përcaktohet në bazë të tarifës vjetore dhe akteve përkatëse që do të miratohen për zbatimin e skemës.
Dy institucione do të mbajnë një pjesë të të ardhurave
Një tjetër element i rëndësishëm i nismës lidhet me mënyrën se si do të administrohen paratë e mbledhura nga vinjetat.
Sipas projektligjit, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) do të jetë institucioni përgjegjës për emetimin e vinjetës, ndërsa shoqëria “Enti Kombëtar i Operimit Rrugor” (EKORR) sh.a. do të merret me shpërndarjen dhe shitjen e saj.
Të dy institucionet parashikohet të mbajnë një tarifë agjenti nga të ardhurat e arkëtuara, me argumentin e mbulimit të kostove operative, mirëmbajtjes dhe funksionimit të sistemeve. Vetëm shuma që mbetet pas zbritjes së këtyre kostove do të transferohet në Buxhetin e Shtetit.
Kjo skemë ngre pikëpyetje mbi mënyrën e administrimit të të ardhurave dhe peshën që do të kenë kostot e ndërmjetësimit në shumën përfundimtare që përfiton buxheti.
Cilat automjete dhe rrugë përjashtohen nga pagesa?
Projektligji parashikon që vinjeta të mos aplikohet në segmentet rrugore që funksionojnë përmes koncesioneve apo partneriteteve publike-private (PPP), ku përfshihen edhe akset me tarifa të posaçme, si Rruga e Kombit.
Jashtë skemës do të mbeten gjithashtu urat dhe tunelet për të cilat paguhet një tarifë e veçantë, me qëllim shmangien e pagesës së dyfishtë nga drejtuesit e automjeteve.
Ndërkohë, Këshilli i Ministrave do të ketë kompetencën të përcaktojë reduktime ose përjashtime për kategori të caktuara mjetesh. Në këtë grup përfshihen automjetet elektrike dhe ato me hidrogjen, mjetet me emetime të ulëta, motomjetet, si dhe automjetet e regjistruara në shtetet kufitare.
Kontrolli përmes kamerave, gjobë për ata që qarkullojnë pa vinjetë
Zbatimi i skemës së re parashikohet të mbështetet te një sistem elektronik kontrolli. Verifikimi i vlefshmërisë së vinjetës do të kryhet përmes kamerave të Policisë së Shtetit, të cilat lexojnë automatikisht targat dhe i krahasojnë të dhënat me regjistrat elektronikë të DPSHTRR-së.
Kjo do të thotë se drejtuesit e automjeteve mund të identifikohen edhe pa u ndaluar fizikisht nga policia gjatë udhëtimit.
Për përdorimin e rrjetit rrugor pa një vinjetë të vlefshme, projektligji parashikon gjobë në masën e tarifës mujore për kategorinë përkatëse të automjetit. Krahas penalitetit, drejtuesi do të ketë detyrimin të pajiset menjëherë me vinjetën përkatëse.
Ndërsa për shoqërinë EKORR sh.a., mosrespektimi i detyrimeve të parashikuara në kuadër të administrimit dhe mbledhjes së tarifave mund të ndëshkohet me gjoba që variojnë nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë.
Nëse nisma miratohet dhe hyn në fuqi sipas parashikimeve, drejtuesit e automjeteve do të përballen me një sistem të ri pagesash për përdorimin e rrugëve kombëtare. Kështu, heqja e taksës së qarkullimit mbi karburantin do të shoqërohet me një mekanizëm tjetër tarifimi, ku detyrimi lidhet drejtpërdrejt me automjetin dhe përdorimin e infrastrukturës rrugore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




