Në procesin gjyqësor për dosjen “Partizani” është dhënë këtë të hënë dëshmia e Justina Boriçit, ish-drejtoreshë e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila ka deklaruar se gjatë kohës që ka ushtruar këtë funksion nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga ish-kryeministri Sali Berisha për çështjet e kthimit të pronave, raporton Fatjon Gjinaj për Syri-n.
Gjatë dëshmisë në gjykatë, Boriçi ka treguar se emërimi i saj në këtë detyrë ishte bërë nga kryeministri i kohës, Sali Berisha, i cili e kishte thirrur personalisht për t'i komunikuar vendimin, pa pasur më parë ndonjë bisedë apo diskutim për këtë çështje.
Ajo ka theksuar se emërimi i saj ishte një procedurë normale, pasi institucioni që drejtonte varej nga Kryeministria. Sipas saj, përzgjedhja mund të ketë ardhur si rezultat i formimit, njohurive dhe eksperiencës së saj profesionale.
Duke u ndalur te çështja që po gjykohet në kuadër të dosjes “Partizani”, Boriçi ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë diskutim me Berishën për pronat objekt gjykimi dhe se nuk ishte njohur me ndonjë ankesë apo kundërshtim lidhur me to.
Ish-drejtoresha ka sqaruar gjithashtu se çështja ishte trajtuar nga zyra rajonale e Tiranës dhe se institucioni qendror mund të ndërhynte në rastet kur kishte kundërshtime apo ankesa.
“Berisha kurrë nuk ka ndërhyrë për kthimin apo çështje prone. Kurrë nuk patëm vërejtje për këto prona”, ka deklaruar Justina Boriçi para gjykatës.
Dëshmia e saj vjen në kuadër të procesit gjyqësor për dosjen “Partizani”, ku po shqyrtohen procedurat e kthimit dhe kompensimit të pronave që lidhen me këtë çështje.
© SYRI.net