Përfaqësuesit e opozitës kanë braktisur mbledhjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore, pas debateve me përfaqësuesit e mazhorancës. Bashkëkryetari i komisionit, Oerd Bylykbashi, dhe përfaqësuesi demokrat Ivi Kaso janë larguar nga tryeza, duke ndërprerë pjesëmarrjen në punimet e komisionit.
Gjatë diskutimeve, Bylykbashi deklaroi se nuk mund të ketë dialog me mazhorancën për reformën zgjedhore, për sa kohë që, sipas tij, shteti vijon të ndikojë në procesin zgjedhor.
Pas largimit të dy përfaqësuesve demokratë, bashkëkryetari socialist Damian Gjiknuri e cilësoi këtë veprim si një strategji politike të opozitës. Ai u përpoq të vijonte diskutimin, duke i kërkuar Bylykbashit të dëgjonte argumentet e tij.
“Më dëgjo njëherë, mos u tremb nga mendimi. Ndoshta mund të jem dakord me ty unë”, u shpreh Gjiknuri.
Ai kritikoi gjithashtu opozitën për mosparaqitjen e propozimeve në kohën e duhur, duke theksuar se ato duhej të ishin dorëzuar përpara mbledhjes dhe jo në momentin e fundit.
“Shpreheni se keni gati propozimet. Propozimet duhet t’i kishit sjellë. I keni që t’i paraqisni në ditën e fundit. Unë e kuptoj se kjo është strategji politike. Në kushtet kur opozita e bojkotoi seancën, mbyll punimet e Komisionit”, deklaroi Gjiknuri.