Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka ndarë pamje nga Spitali Rajonal i Gjirokastrës, të cilin e cilëson një strukturë tërësisht të transformuar, me infrastrukturë moderne dhe kushte për t'u kthyer në një qendër reference për shërbimet shëndetësore në të gjithë rajonin.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spahiu bëri të ditur se krahas investimeve në infrastrukturën spitalore, po punohet edhe për forcimin e burimeve njerëzore në shëndetësi.

Sipas saj, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, po harton një plan kombëtar 10-vjeçar për menaxhimin e burimeve njerëzore në sektorin e shëndetësisë, ku një vëmendje e veçantë do t'i kushtohet rritjes së kuotave të mbuluara për mjekët specializantë.

“Spitali Rajonal Gjirokastër, një strukturë spitalore tashmë tërësisht e transformuar, me infrastrukturë moderne, që krijon kushtet për ta konsoliduar si një qendër reference për shërbimet shëndetësore në të gjithë rajonin.

Investimi në infrastrukturë ecën paralelisht me fuqizimin e burimeve njerëzore. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, po hartojmë Planin Kombëtar 10-vjeçar për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Shëndetësi, ku një vëmendje e veçantë do t'i kushtohet edhe rritjes së kuotave të mbuluara për mjekët specializantë”, shkruan Spahiu.