Irani mbrojti këtë të hënë një propozim për rifillimin e bisedimeve të paqes brenda vetëm dy ditësh të cilën ua ka paraqitur SHBA së fundmi, duke e cilësuar atë si ofertën më të arsyeshme në tryezë. 

Por sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cilësoi disa nga kushtet e Iranit si “skandaloze dhe qesharake”.

Irani ka paraqitur këtë propozim për të shkurtuar afatin e rifillimit të bisedimeve në vetëm dy ditë, nga propozimi i mëparshëm prej shtatë ditësh. Ky i fundit parashikonte që Uashingtoni fillimisht të plotësonte disa kushte, përfshirë ndalimin e armiqësive, heqjen e bllokadës dhe anulimin e sanksioneve.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Esmail Baghaei tha këtë të hënë se presioni i SHBA-së ndaj Irakut për të mbyllur pjesën më të madhe të kufijve të tij me Iranin nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe me Bagdadin. Deklarata e tij erdhi pasi ministri i Jashtëm irakian tha se Uashingtoni po ushtronte presion për një masë të tillë.

Trump i tha CNN-it, në një intervistë telefonike të dielën, se për sa kohë Uashingtoni sheh përparim në negociatat me Teheranin dhe palët nënshkruajnë një “marrëveshje të fortë”, është “shumë e pamundur që të jetë e nevojshme” që SHBA-ja të rifillojë sulmet.

Nga ana e Iranit, ministri i Jashtëm Abbas Araghchi deklaroi të dielën se “ka ardhur koha që Shtëpia e Bardhë të marrë vendimin e saj” lidhur me luftën.

“Votuesit amerikanë kanë bërë zgjedhjen e tyre, tani është radha e Shtëpisë së bardhë të bëjë të sajën” shkroi Araghchi në platformën X, duke iu referuar rezultateve të zgjedhjeve afatmesme në SHBA.