Fitorja 1-2 e Milanit në transfertën ndaj Genoas nuk e ka qetësuar Adrien Rabiot. Mesfushori francez ka reaguar ashpër pas vendimit të arbitrit Massa për të mos ndëshkuar me karton të kuq mbrojtësin Marcandalli, në një episod që ka shkaktuar diskutime të shumta.
Ngjarja ndodhi në minutën e 50-të të takimit në “Marassi”, kur Marcandalli ndaloi Rabiot me një ndërhyrje, rreth 60 metra larg portës së Genoas. Francezi pretendoi se ishte lojtari i fundit dhe kërkoi ndëshkimin me karton të kuq, por arbitri Massa vendosi të ndëshkonte mbrojtësin vetëm me karton të verdhë.
Vendimi u mbështet edhe nga ish-arbitri Gianpaolo Calvarese, i cili analizoi episodin përmes rrjeteve sociale. Sipas tij, gjyqtari kishte marrë vendimin e duhur, duke theksuar se edhe në rast se Massa do të kishte nxjerrë kartonin e kuq, VAR-i nuk do të kishte ndërhyrë për ta ndryshuar vendimin.
Calvarese shpjegoi se në situata të tilla arbitri duhet të marrë në konsideratë disa elemente: distancën nga porta, drejtimin e aksionit, mundësinë që lojtari të kontrollojë ose të fitojë topin, si dhe pozicionin dhe numrin e mbrojtësve kundërshtarë.
Arsyetimi i ish-arbitrit nuk e ka bindur aspak mesfushorin e Milanit. Rabiot reagoi drejtpërdrejt në rrjetet sociale, duke kundërshtuar interpretimin e Calvarese dhe duke përdorur tone të ashpra.
“Në jetë dhe në futboll mund të bëhen gabime, por duhet të dish t’i pranosh. Të gënjeni vazhdimisht nuk ju ndihmon të ecni përpara. Dhe është futbolli italian ai që vuan pasojat. Mendohuni!”, shkroi francezi.
