Balla: PD ka afat deri më 30 nëntor, më pas vijojmë me ndryshimet për Reformën Zgjedhore

Politikë | 19 minuta më parë

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas largimit të opozitës nga mbledhja e komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, duke deklaruar se puna për reformën nuk mund të bllokohet për shkak të bojkotit të Partisë Demokratike. Në një deklaratë për mediat, Balla tha se janë katër rekomandime kryesore që duhet të marrin zgjidhje, ndërsa theksoi se për disa prej tyre ka pasur dakordësi politike prej vitesh.

“Janë katër rekomandime bazë që presin prej kaq vitesh. I pari është depolitizimi i komisioneve zgjedhore. Prej vitit 2020 ka një dakordësi mes dy blloqeve kryesore politike. Zgjidhja është aty, duhet ta miratojmë. I dyti është ligji për financimin e partive politike. Projektligji është gati dhe duhet çuar për miratim në seancë, pasi të kemi marrë edhe një verifikim të fundit nga Komisioni i Venecias. E treta lidhet me median, mënyrën se si transmeton dhe mbulon fushatën zgjedhore. E katërta është një çështje që mund ta zgjidhim edhe përmes një ndërhyrjeje në akte nënligjore, në vendime të Këshillit të Ministrave, për të parandaluar çdo ndërhyrje të administratës në fushatën zgjedhore dhe për të garantuar ndarjen e shtetit nga zgjedhjet dhe paanshmërinë e plotë të personave që punojnë në shtet”, deklaroi Balla.

Ai u ndal edhe te propozimet e reja të mazhorancës, duke përmendur ndryshimet që lidhen me ndarjen administrative-territoriale dhe financimin e partive politike. Balla paralajmëroi Partinë Demokratike se afati për t’u rikthyer në tryezën e diskutimeve është 30 nëntori.

“Puna është bërë, ekspertët kanë punuar. PD duhet ta ketë shumë të qartë. Koha kur PD kishte të drejtën ekskluzive të bllokimit të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore përfundon më 30 nëntor. Nëse deri më 30 nëntor PD nuk vjen në komision për të punuar për këto çështje dhe propozime të tjera, ne do t’i japim Shqipërisë mundësinë të zhvillojë zgjedhjet e 9 majit me ato ndryshime që kemi parashikuar”, u shpreh ai.

Sipas Ballës, një prej ndryshimeve të propozuara lidhet me përfaqësimin e bashkive të vogla, të cilat janë bashkuar në kuadër të reformës territoriale, në këshillat bashkiakë. Ai theksoi se mazhoranca synon të vijojë edhe me ndërhyrje nënligjore për të parandaluar përfshirjen e administratës shtetërore në fushatat zgjedhore.

“Dua të ecim para me disa rregullime të tjera. Janë ndërhyrje nënligjore që do të bëjmë përmes qeverisë, të cilat lidhen me parandalimin e çdo forme të ndërhyrjes së administratës në zgjedhje. PD duhet të kuptojë që edhe ne kemi pasur propozimet tona. Një prej tyre është rikthimi i numërimit në qendrat e votimit. Kjo do të ulte kohën e nxjerrjes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve”, deklaroi Balla.

Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës për mënyrën se si po zhvillohen diskutimet në komision, Balla tha se përgjegjësia për bojkotin i takon Partisë Demokratike.

“Komisionin e bojkotuan ata. Komisioni nuk ka pse të ndërpritet dhe s’ke pse e lë vendin duke abuzuar me një të drejtë që ta kemi dhënë ne, të drejtën e vetos. PD t’i sjellë propozimet në komision, t’i diskutojë në komision, por bojkoti i komisionit nuk mund të përdoret si e drejtë vetoje”, u shpreh kreu i grupit parlamentar të PS-së.

Balla foli edhe për mundësinë e diskutimit të propozimit të opozitës për listat e hapura, duke bërë të ditur se PS është e gatshme ta shqyrtojë atë, por me një kusht.

“PS u shpreh e gatshme për të diskutuar për propozimin tuaj për listat, por me kushtin që të dakordësoheni për uljen e numrit të deputetëve në 101”, bëri të ditur Balla.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialist është shprehur kundër zgjedhjes së anëtarëve të këshillave bashkiakë me lista 100% të hapura, duke mbrojtur formulën aktuale si mënyrën më të mirë për të garantuar funksionimin dhe përfaqësimin e këtyre organeve.

Në një prononcim për mediat, Balla tha se çdo propozim për ndryshimin e sistemit duhet të diskutohet fillimisht në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Sipas tij, hapja e plotë e listave nuk do të ishte zgjidhja e duhur për këshillat bashkiakë.

“Si një politikan me shumë vite mbi supe, sa i përket hapjes së zgjedhjeve në listat e anëtarëve të këshillit, unë jam kundër. Formula aktuale është më e mira për të garantuar një këshill bashkiak funksional, demokratik, por edhe në funksion të rolit të tij monitorues të vendimmarrjes”, deklaroi Balla.

I pyetur për shqetësimet e ekspertëve se sistemi aktual ka sjellë përfaqësim jo të barabartë të zonave rurale në këshillat bashkiakë, Balla tha se propozimi i paraqitur nga PS synon ta përmirësojë këtë aspekt.

“Propozimi që ka ardhur nga PS e zgjidh disi, për të garantuar një përfaqësim uniform të gjithë territorit të bashkisë në këshill”, u shpreh ai.

Balla kërkoi që të pritet deri më 14, duke paralajmëruar se në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste do të prezantohen ide të reja për mënyrën se si partitë mund të sigurojnë përfaqësimin e të gjithë territorit në këshillat bashkiakë, përmes një procesi paraprak përzgjedhjeje të kandidatëve.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme