Rektorët kërkojnë më shumë financim dhe rishikim pagash/Rritja të bazohet në performancën e universiteteve
Më shumë fonde, por dhe me shume mundësi për ti përdorur ato. Ky eshte një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga drejtuesit e universiteteve publike në komisionin e edukimit dhe shkencës. Rektori i Universitetet Bujqësor, Fatbardh Sallaku tha se problemi nuk qëndron vetëm te masa e financimit, por edhe te vështirësisë burokratike qe pengojnë përdorimin e fondeve për laboratorë, infrastrukture dhe pajisje për studentet.
Ashtu si Sallaku edhe drejtuesit e tjerë te universiteteve kërkuan rishikimin e skemës se pagave te stafit akademik, duke konsideruar motivimin financiar te pedagogeve një problem qe ndikon drejtpërdrejt në përmbushjen e detyrave akademike.
“Unë dua t’ju them se universitetet shqiptare sot, dhe nuk dua që të keqpërdoren, edhe sikur t’u jepni miliona euro, me këtë sistem të menaxhimit financiar që kanë, nuk janë në gjendje t’i absorbojnë, sepse procedurat janë aq burokratike saqë është e pamundur të realizohen’, u shpreh Sallaku.
“Kemi një numër anëtarësh të stafit, të cilët, për të plotësuar pagat e tyre, kryejnë edhe punë të dyta jashtë orarit të punës. Kuptohet, por e gjitha kjo, në fund të ditës, ndikon në kohën që duhet t’i dedikohej procesit të edukimit”.
Në përgjigje te shqetësimeve deputetja Ogerta Manastirliu vuri theksin se shpërndarja e fondeve duhet të mbështetet në kritere objektive, duke nxitur përmasimin e cilësisë dhe profilizimin e institucioneve të arsimit të lartë.
“Më shumë se kurrë, ky është momenti për të ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm: rishikimin e ligjit të arsimit të lartë, vlerësimin e modeleve aktuale të financimit dhe propozimin e skemave të reja të financimit, bazuar në performancë”, tha Manastirliu.
Projekt buxheti për arsimin e lartë për vitin e ardhshëm parashikon e një rritje ku prioritet do të jetë mbështetja financiare për studentët me bursa si dhe rritja e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor .
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



