Kapri kërkon llogari për autobotet dhe dronët, Hita: Zero lekë nga buxheti, i kemi marrë nga policitë partnere! Nxjerr fotot e policëve të lënduar
Përdorimi i pajisjeve speciale nga Policia e Shtetit gjatë protestave të fundit dhe dëmtimi i efektivëve u bënë pjesë e debatit në Komisionin për Çështjet e Brendshme. Deputeti i Partia Mundësia, Erald Kapri, kërkoi llogari nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, për shtimin e autoboteve ujëhedhëse dhe përdorimin e dronëve gjatë tubimeve, duke kërkuar të dijë se sa kanë kushtuar këto pajisje dhe nga janë siguruar.
Kapri akuzoi policinë se i ka përdorur këto mjete për të shpërndarë me dhunë protestuesit, ndërsa kërkoi përgjegjësi për mënyrën e menaxhimit të protestave të fundit.
Në përgjigjen e tij, Hita deklaroi se për këto pajisje nuk është shpenzuar asnjë lek nga buxheti i shtetit.
Gjatë diskutimit, kreu i Policisë së Shtetit u ndal edhe te efektivët e plagosur gjatë protestave, duke përshkruar dëmtimet e pësuara nga disa prej tyre. Për të ilustruar situatën, Hita prezantoi në Komision edhe fotografi të punonjësve të policisë të lënduar, mes të cilëve efektivë me fraktura dhe dëmtime në kokë.
Erald Kapri: Zoti Drejtor i Policisë së Shtetit kam disa pyetje që lidhen me buxhetin por edhe me situatën në të cilën po kalojmë. Në menaxhimin e protestës së javëve të fundit është vënë re shtimi i disa pajisjeve të përdoruara nga Policia e Shtetit. Janë shtuar 4 autobote që hedhin ujë. Po ashtu është evidentuar përdorimi i dronëve mbi kokat e protestuesve. Dua të di sa keni shpenzuar për blerjen e këtyre pajisjeve, pra flas për makinat ujëhedhëse dhe dronet. Nga kush i ka marrë dhuratë Policia e Shtetit këto pajisje të cilat i keni përdorur për të shpërndarë me dhunë protestën?
Skënder Hita: Janë harxhuar zero lekë nga buxheti i shtetit për këto mjete. Përderisa nuk është shpenzuar asnjë lek, s’ka vend për diskutim. Policia përdor pajisjet speciale që ka në dispozicion dhe i përdor ato në bazë të ligjeve dhe dokumenteve përkatëse. Këtu përfshihen mjetet speciale, autobotet, dronët dhe mjetet e tjera që përdoren gjatë protestave. Ato janë marrë në përdorim nga policitë partnere dhe nuk janë dhuruar.
Sa u përket dëmtimeve të punonjësve të policisë, nuk do të doja të kishte asnjë të dëmtuar. Por fakti është se, ditën e parë të protestës, policia ka qenë në ruajtje të institucioneve dhe objekteve shtetërore dhe është kujdesur për mbarëvajtjen e tubimit. Efektivët janë përballur me një sulm të paparë më parë, me një breshëri gurësh. Është ndërmarrë edhe një sulm ndaj institucioneve. Ka punonjës me këmbë të thyer dhe me dëmtime në kafkë, si në Shkodër. Ai ishte përmirësuar, por deri para disa ditësh edhe këmbët dhe duart i lëvizte me zor. Unë, duke marrë edhe numrin e lartë të punonjëve të policisë të dëmtuar të kësaj proteste nuk besoj se ka vend për aludime të tjera.




