Nuk ka më dyshime. Ivan Balliu, pas 9 vitesh, nuk do të veshë më ngjyrat kuqezi. 34-vjeçari ka njoftuar në rrjetet sociale se është tërhequr nga kombëtarja, por do të mbetet gjithmonë kuqezi.
“Nëntë vite më parë, nisa një rrugëtim që do të kthehej në një nga kapitujt më domethënës të jetës sime. Sot, duke parë pas, kuptoj se sa shumë më ka dhënë kjo fanellë.
Nëntë vite emocionesh, sakrificash, miqësish dhe kujtimesh të paharrueshme. Kombëtarja u bë familja ime e dytë dhe përfaqësimi i Shqipërisë ka qenë gjithmonë një nga nderet më të mëdha të karrierës sime. Pjesëmarrja në EURO 2024 do të mbetet përgjithmonë një nga momentet për të cilat ndihem më krenar.
Një falënderim i përzemërt për të gjithë shokët e skuadrës, trajnerët dhe stafin që ndanë këtë rrugëtim me mua. Dhe për tifozët tanë të jashtëzakonshëm, faleminderit për dashurinë, pasionin dhe mbështetjen tuaj të pakushtëzuar. Ju e bëtë çdo moment edhe më të veçantë.
Largohem me zemrën plot mirënjohje dhe krenari, duke e ditur se një pjesë e imja do t’i përkasë gjithmonë kësaj familjeje.
Nëntë vite në zemrën time. Një privilegj për gjithë jetën.
Faleminderit, Shqipëri! Faleminderit, Armand Duka! Përjetë Kuqezi!”-shkruan Balliu.
Ivan Balliu për herë të fundit me kombëtaren luajti në muajin mars, në ‘play-off’ të Botërorit, ndërsa më pas mungoi në grumbullime për shkak dëmtimesh. Si pasojë e formës fizike ai ka vendosur të fokusohet te klubi spanjoll Rayo Vallecano. Me kombëtaren Ivan balliu debutoi me 10 qershor të 2017, ndërsa që prej asaj periudhe ka bërë 24 paraqitje me kuqezinjtë.