Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural parashikon të shpenzojë rreth 18 miliardë lekë gjatë vitit 2027, 10% më shumë se buxheti fillestar i këtij viti. Përveç rritjes së fondeve për fermerët, projektbuxheti parashikon investime në ujitjen e tokave, forcimin e kontrolleve ushqimore dhe shtimin e 50 punonjësve në ministri.

Gjatë prezantimit të projektbuxhetit në komisionin parlamentar, ministri i Bujqësisë bëri të ditur se zhvillimi rural do të marrë rreth 8,4 miliardë lekë, ose afërsisht 47% të gjithë buxhetit. Nga fondet shtesë të planifikuara për këtë program, 100 milionë lekë do të shkojnë për Skemën Kombëtare të Mbështetjes. Synimi është zgjerimi i pagesave direkte për fermerët, mbështetja e të rinjve në bujqësi dhe financimi i investimeve në ferma.

“Por ndryshimi që kërkojmë nuk është vetëm financiar. Po kalojmë gradualisht nga mbështetja e fragmentuar drejt një modeli që shpërblen prodhimin real, nxit bashkëpunimin ndërmjet fermerëve dhe konsolidimin e fermave. Duam më pak kosto për njësi prodhimi, më shumë akses në treg dhe një sektor të aftë të konkurrojë në tregun e përbashkët evropian" tha Salla 

Për sigurinë ushqimore janë planifikuar rreth 3 miliardë lekë, 3% më shumë se në vitin 2026. Nga kjo shumë, 371 milionë lekë parashikohen për investime.

Ministri njoftoi se do të forcohen kontrollet nga ferma deri te tregu, ndërsa laboratorët do të synojnë zgjerimin e analizave për substanca dhe mbetje që mund të gjenden në produktet ushqimore.

“Do të forcojmë kontrollin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit përgjatë të gjithë zinxhirit, nga ferma te tregu; gjurmueshmërinë dhe identifikimin e produkteve të pasigurta; identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve, survejancën veterinare dhe kontrollin fitosanitar. Në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë synojmë më shumë metoda të validuara e të akredituara, përfshirë analizat për nitratet, metalet e rënda, mbetjet veterinare, vajin e ullirit dhe mjaltin. Siguria ushqimore është njëkohësisht mbrojtje e konsumatorit dhe kusht për të hapur tregje të reja" tha Salla. 

Një tjetër pjesë e buxhetit shkon për ujitjen, kullimin dhe mbrojtjen nga përmbytjet. Për këtë program janë parashikuar 4,3 miliardë lekë, ose 19,3% më shumë se buxheti fillestar i vitit 2026.

Investimet synojnë përmirësimin e ujitjes në rreth 13 mijë hektarë dhe ndërtimin ose rehabilitimin e 10 kilometrave argjinatura. Ndërkohë, 400 milionë lekë janë planifikuar për përgatitjen e projekteve në lumenjtë Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman e Vjosë, si dhe në fushat e Torrovicës dhe Maliqit.

Për peshkimin janë parashikuar 727 milionë lekë, 25% më shumë se në vitin 2026, ndërsa programi i këshillimit bujqësor synon të informojë dhe asistojë 93 mijë fermerë.

Projektbuxheti përfshin edhe shtimin e 50 punonjësve në aparatin e Ministrisë së Bujqësisë, për të përballuar detyrimet që lidhen me negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Parashikohet shtimi i organikës së aparatit të ministrisë me 50 punonjës, për të mbështetur përgatitjen dhe zbatimin e politikave, përafrimin ligjor dhe angazhimet e negociatave evropiane. Një administratë profesionale është kusht për të kthyer financimin në shërbime dhe rezultate. “Në mënyrë të detajuar, tavani për pagat dhe sigurimet shoqërore rritet nga 413 milionë në vitin 2026 në 477 milionë në vitin 2027, që përfaqëson një rritje prej 15,6%. Siç e përmenda dhe më sipër, kjo lidhet me parashikimin për 50 punonjës shtesë për vitin 2027 në funksion të detyrimeve të kapitujve 11, 12 dhe 13 të negociatave me Bashkimin Evropian" tha Salla.