Nga 5, 2, 10 dhe përsëri 5 milionë: pragu i TVSH-së dhe problemi që fshihet pas tij
Eduart Sharka
Kontabel i Miratuar
Nga 1 janari 2027, qeveria ka vendosur të ulë pragun e regjistrimit në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore. Argumenti zyrtar është formalizimi i ekonomisë dhe zgjerimi i bazës së tatimpaguesve.
Në pamje të parë, ky mund të duket si një ndryshim teknik në administrimin e tatimeve. Por, në të vërtetë, ai rihap një debat shumë më të rëndësishëm: A kemi një politikë fiskale të qëndrueshme, të ndërtuar mbi parimet e taksimit të drejtë dhe konkurrencës së ndershme, apo vazhdojmë të ndryshojmë pragje pa zgjidhur problemin themelor të sistemit?
E njëjta qeveri, gjatë mandateve të saj, e ka ndryshuar disa herë këtë prag: nga 5 milionë në 2 milionë, më pas në 8 milionë, në 10 milionë dhe tani përsëri në 5 milionë lekë.
Nuk është e vështirë të kuptohet se ndryshime të tilla të shpeshta krijojnë pasiguri te biznesi dhe ngrenë pikëpyetje për mungesën e një filozofie të qëndrueshme fiskale. Një sistem tatimor nuk mund të funksionojë me eksperimente të përsëritura, ku çdo ndryshim i pragut paraqitet si zgjidhje për problemet që vetë politika e mëparshme nuk ka arritur të zgjidhë.
Por problemi që dua të vë në diskutim është më i thellë se vetë pragu.
Formalizimi nuk është i njëjtë me regjistrimin në TVSH
Qeveria e justifikon uljen e pragut me nevojën për formalizim. Por duhet të bëjmë një dallim thelbësor: formalizimi i një biznesi nuk është domosdoshmërisht i njëjtë me regjistrimin e tij në TVSH.
Një biznes mund të jetë plotësisht i identifikuar, të ketë NIPT, të deklarojë aktivitetin, të paguajë detyrimet që i takojnë dhe të jetë pjesë e ekonomisë formale, pa qenë domosdoshmërisht subjekt i TVSH-së.
Pragu i TVSH-së nuk duhet parë si instrument i vetëm për formalizimin. Ai duhet të shërbejë edhe për një qëllim tjetër: të mos ngarkojë subjektet e vogla me kosto administrative joproporcionale me madhësinë e aktivitetit të tyre.
Kjo është edhe arsyeja pse në vendet e Bashkimit Europian ekzistojnë regjime të veçanta për bizneset e vogla. Përjashtimi nga TVSH-ja nuk është domosdoshmërisht një privilegj i pajustifikuar, por një instrument për të lehtësuar vetëpunësimin, sipërmarrjen e vogël dhe aktivitetet ku kostot e administrimit të TVSH-së mund të jenë më të mëdha se përfitimi fiskal për shtetin.
Pra, çështja nuk është vetëm sa biznese do të futen në skemën e TVSH-së, por çfarë efekti do të ketë ky ndryshim mbi aktivitetin ekonomik, konkurrencën dhe konsumatorin.
Kur përjashtimi nga TVSH-ja kthehet në problem për konkurrencën
Për të kuptuar problemin, duhet të dallojmë dy lloje marrëdhëniesh ekonomike.
Në marrëdhëniet biznes-konsumator, pra B2C, përjashtimi i një biznesi të vogël nga TVSH-ja mund të shërbejë si lehtësi dhe nxitje për vetëpunësimin. Një dyqan i vogël lagjeje, për shembull, mund të ketë arsye të ligjshme për të mos u ngarkuar me të gjitha detyrimet administrative të një biznesi të madh.
Por situata ndryshon kur ky biznes nuk shet drejtpërdrejt te konsumatori, por blen dhe shet produkte te biznese të tjera, pra në marrëdhëniet B2B.
Në këtë rast, biznesi i vogël paguan TVSH në blerjet e tij, por nuk ka të drejtë ta kreditojë atë. TVSH-ja e paguar bëhet pjesë e kostos së produktit.
Ndërkohë, blerësi i tij, nëse është subjekt i TVSH-së, nuk ka një faturë me TVSH të kreditueshme. Kur e shet produktin më tej, ai llogarit TVSH mbi të gjithë çmimin e tatueshëm të shitjes.
Kështu krijohet një deformim: biznesi që blen nga një subjekt i përjashtuar mund të ketë kosto më të lartë sesa konkurrenti që blen nga një furnizues subjekt i TVSH-së.
Përjashtimi që synonte të ndihmonte biznesin e vogël krijon një disavantazh për operatorin që blen prej tij.
Kjo është një nga arsyet pse neutraliteti i TVSH-së duhet parë në të gjithë zinxhirin ekonomik dhe jo vetëm në hallkën e parë të shitjes.
I njëjti problem, por edhe më i ndjeshëm, në bujqësi
E njëjta filozofi e përjashtimit dhe lehtësimit fiskal zbatohet edhe për prodhuesit bujqësorë.
Prodhuesit që realizojnë shitje vjetore deri në 100 milionë lekë pajisen me NIPT fermeri dhe, në marrëdhëniet me blerësit e regjistruar, përdoret mekanizmi i autofaturimit.
Kjo është një formë diskriminimi pozitiv, e justifikuar edhe nga realiteti i bujqësisë shqiptare. Fermerët, në përgjithësi, nuk kanë të njëjtat kapacitete administrative dhe profesionale si një biznes i organizuar. Ata nuk janë të specializuar për të administruar programe fiskale dhe procedura kontabël komplekse. Edhe në fushën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, janë parashikuar lehtësi dhe regjime më të favorshme.
Pra, nuk është e gabuar që shteti të bëjë diskriminim pozitiv në favor të fermerit.
Përkundrazi, unë jam për më shumë mbështetje dhe diskriminim pozitiv për prodhuesin shqiptar. Bujqësia ka nevojë për politika shumë më të forta mbështetëse.
Por ka një dallim thelbësor: lehtësimi i fermerit nuk duhet të kthehet në penalizim fiskal për grumbulluesin, përpunuesin apo tregtarin që blen produktin e tij.
Nuk kemi pse të zgjedhim midis përkrahjes së fermerit dhe ruajtjes së neutralitetit të TVSH-së. Një politikë fiskale e menduar mirë mund t’i realizojë të dyja.
Për ta kuptuar më qartë se ku qëndron problemi, le ta shohim me një shembull konkret.
Një shembull me shifra: i njëjti produkt, i njëjti çmim, por barrë fiskale e ndryshme
Nisemi nga një realitet që shpesh anashkalohet në analizat burokratike: në tregun shqiptar çmimi negociohet si çmim përfundimtar. Nëse çmimi i tregut për një produkt është 120 lekë, fermeri nuk mund t’i thotë blerësit: ky është çmimi im dhe tani shtoji edhe TVSH-në. Tregu nuk funksionon kështu.
Për realizimin e një njësie produkti, fermeri blen inpute bujqësore me vlerë 50 lekë, plus 10 lekë TVSH. Pra, paguan gjithsej 60 lekë. Pjesa tjetër e vlerës së produktit krijohet nga puna e fermerit, toka, kapitali dhe aktiviteti i tij ekonomik.
Produkti i shitet grumbulluesit me çmimin e tregut prej 120 lekësh.
Grumbulluesi, në të dyja rastet, e shet produktin te konsumatori me çmimin e tregut prej 180 lekësh, TVSH e përfshirë.
Përdorim normën standarde 20% për të bërë krahasimin.
Ndryshon vetëm statusi fiskal i furnizuesit.
Rasti i parë: Ferma e organizuar, subjekt i TVSH-së
Ferma e organizuar e shet produktin për 120 lekë, çmim që përmban TVSH-në.
| Përshkrimi | Vlera |
| Çmimi i shitjes pa TVSH | 100 lekë |
| TVSH 20% | 20 lekë |
| Çmimi që paguan grumbulluesi | 120 lekë |
Ferma ka paguar 10 lekë TVSH në blerjen e inputeve dhe arkëton 20 lekë TVSH në shitje.
Pra, paguan në shtet vetëm diferencën:
20 – 10 = 10 lekë.
Grumbulluesi blen produktin për 120 lekë dhe ka të drejtë të kreditojë 20 lekë TVSH.
Kur e shet produktin për 180 lekë, TVSH-ja e përfshirë në çmim është 30 lekë.
| Përshkrimi | Vlera |
| Çmimi i shitjes pa TVSH | 150 lekë |
| TVSH 20% | 30 lekë |
| Çmimi final për konsumatorin | 180 lekë |
Grumbulluesi arkëton 30 lekë TVSH, krediton 20 lekët e blerjes dhe paguan në shtet vetëm 10 lekë.
Në këtë zinxhir, shteti arkëton gjithsej:
10 lekë TVSH nga furnitori i inputeve + 10 lekë nga ferma + 10 lekë nga grumbulluesi = 30 lekë.
Rasti i dytë: Fermeri nuk është subjekt i TVSH-së dhe grumbulluesi blen me autofaturë
Tani marrim të njëjtin produkt dhe të njëjtin çmim tregu prej 120 lekësh.
Fermeri nuk lëshon faturë me TVSH. Grumbulluesi e blen produktin me autofaturë për 120 lekë, pa TVSH hyrëse për të kredituar.
Por fermeri ka paguar më parë 10 lekë TVSH në blerjen e inputeve.
| Përshkrimi | Vlera |
| Kostoja e inputeve | 50 lekë |
| TVSH e paguar në inpute | 10 lekë |
| Çmimi i produktit në shitje | 120 lekë |
| TVSH në autofaturë | 0 lekë |
Grumbulluesi e ka blerë produktin për të njëjtin çmim prej 120 lekësh, por nuk ka asnjë TVSH hyrëse për të kredituar.
Kur e shet produktin te konsumatori për 180 lekë:
| Përshkrimi | Vlera |
| Çmimi i shitjes pa TVSH | 150 lekë |
| TVSH 20% | 30 lekë |
| Çmimi final për konsumatorin | 180 lekë |
Grumbulluesi arkëton 30 lekë TVSH dhe, pasi nuk ka TVSH hyrëse për të kredituar, paguan në shtet të gjithë shumën.
Por mos harrojmë se shteti ka arkëtuar më parë edhe 10 lekë TVSH nga tregtari i inputeve që ka furnizuar fermerin.
Pra, në këtë rast shteti arkëton:
10 lekë TVSH nga inputet + 30 lekë nga grumbulluesi = 40 lekë.
Çfarë provon ky krahasim?
| Treguesi | Ferma e organizuar, subjekt i TVSH-së | Fermeri jashtë TVSH-së |
| Kostoja e inputeve pa TVSH | 50 | 50 |
| TVSH e paguar në inpute | 10 | 10 |
| Çmimi i shitjes së produktit | 120 | 120 |
| TVSH në shitjen e fermerit | 20 | 0 |
| TVSH e kredituar nga grumbulluesi | 20 | 0 |
| Çmimi final për konsumatorin | 180 | 180 |
| TVSH në shitjen finale | 30 | 30 |
| Arkëtimi total i shtetit nga zinxhiri | 30 | 40 |
I njëjti produkt, i njëjti çmim blerjeje, i njëjti çmim final për konsumatorin, por 10 lekë më shumë arkëtime për shtetin.
Këtu shfaqen dy pasoja negative që nuk duhen anashkaluar.
Së pari, shteti arkëton më shumë TVSH sesa në një zinxhir neutral.
Në rastin e parë, TVSH-ja totale e arkëtuar nga shteti është 30 lekë. Në rastin e dytë, ajo arrin në 40 lekë. Diferenca prej 10 lekësh është pikërisht TVSH-ja e paguar në inputet e fermerit, e cila nuk kreditohet në hallkën pasuese.
Pra, kemi një akumulim të barrës së TVSH-së. Në këtë shembull, për të njëjtën bazë ekonomike dhe të njëjtin çmim final, shteti arkëton 10 lekë më shumë.
Së dyti, grumbulluesi që blen nga fermeri vendoset në disavantazh konkurrues.
Le ta shohim nga këndvështrimi i biznesit.
Grumbulluesi që blen nga ferma e organizuar, subjekt i TVSH-së, paguan 10 lekë TVSH në shtet nga shitja e produktit. Grumbulluesi që blen nga fermeri jashtë TVSH-së paguan 30 lekë.
Diferenca është 20 lekë.
Por çmimi final i shitjes është i njëjtë: 180 lekë.
Kjo do të thotë se grumbulluesi që furnizohet nga fermeri ka 20 lekë më pak hapësirë ekonomike për të përballuar kostot dhe për të realizuar të njëjtin marzh fitimi.
Nëse nuk mund ta transferojë këtë kosto te konsumatori, i ulet fitimi. Nëse përpiqet ta transferojë në çmim, rëndohet konsumatori.
Kështu, një lehtësi fiskale e menduar për të mbështetur fermerin krijon një disavantazh për operatorin që blen produktin e tij dhe deformon konkurrencën në treg.
Dhe ky është paradoksi: shteti, duke mos garantuar neutralitetin e TVSH-së, krijon një situatë ku penalizohet pikërisht zinxhiri që lidh fermerin me tregun.
Fermeri ka nevojë për grumbulluesin, përpunuesin dhe tregtarin që t’i sigurojnë tregun e prodhimit të tij. Këta operatorë nuk duhet të vendosen në disavantazh për shkak të mënyrës se si shteti ka zgjedhur të trajtojë fermerin nga pikëpamja fiskale.
Kjo është një çështje e konkurrencës, jo thjesht e kontabilitetit.
Diskriminimi pozitiv nuk duhet të prishë neutralitetin
Dua të theksoj se nuk jam kundër përjashtimeve dhe lehtësive fiskale për biznesin e vogël dhe fermerin. Përkundrazi, ato janë të nevojshme në kushtet e ekonomisë shqiptare.
Por duhet të kuptojmë se diskriminimi pozitiv dhe neutraliteti i TVSH-së nuk janë dy parime që përjashtojnë njëri-tjetrin.
Shteti mund ta lehtësojë biznesin e vogël nga detyrimet administrative. Mund të mos e detyrojë fermerin të administrojë një sistem të plotë të TVSH-së. Mund të krijojë skema të posaçme mbështetjeje dhe subvencionimi.
Por në të njëjtën kohë duhet të garantojë që operatori ekonomik që blen prej tyre të mos penalizohet nëpërmjet humbjes së kreditimit të TVSH-së.
Diskriminimi pozitiv duhet të jetë në favor të subjektit që ka nevojë për mbështetje, jo në dëm të subjektit tjetër që është pjesë e të njëjtit zinxhir ekonomik.
Për mua, kjo është një çështje që kërkon zgjidhje ligjore dhe jo ndryshime të herëpashershme pragjesh.
Pikërisht për këtë problem kam paraqitur edhe një projektligj në Parlament, me synimin për të rikthyer neutralitetin e TVSH-së, si në marrëdhëniet e biznesit të vogël me operatorët e tjerë, ashtu edhe në zinxhirin e prodhimit dhe tregtimit bujqësor.
Nuk po kërkojmë t’i heqim fermerit lehtësitë. Po kërkojmë që ato të mos kthehen në një barrë të fshehur për grumbulluesin, përpunuesin dhe konsumatorin.
Përfundim: Nuk është çështje e pragut, por e filozofisë fiskale
Ndryshimi i pragut nga 10 në 5 milionë lekë mund të sjellë më shumë subjekte të regjistruara në TVSH. Por kjo nuk do të thotë automatikisht më shumë formalizim, më shumë drejtësi fiskale apo më shumë konkurrencë të ndershme.
Një politikë fiskale serioze duhet të vlerësohet nga efektet që prodhon në ekonomi, jo vetëm nga numri i subjekteve që fut në skemën e tatimit.
Duhet të kuptojmë se TVSH-ja është një tatim mbi konsumin dhe se parimi i saj themelor është neutraliteti përgjatë zinxhirit ekonomik. Kur ky parim prishet, krijohen kosto të fshehura, deformime të konkurrencës dhe rrezik për transferimin e barrës te konsumatori.
Nuk kemi nevojë të zgjedhim midis mbështetjes së fermerit dhe mbështetjes së biznesit të vogël, nga njëra anë, dhe neutralitetit fiskal, nga ana tjetër. Kemi nevojë për një sistem që i realizon të dyja.
Kjo kërkon të dëgjohen ekspertët, të analizohen pasojat e ndryshimeve të mëparshme dhe të mos ngatërrohet fuqia e votave në Parlament me saktësinë e një zgjidhjeje teknike.
Një mazhorancë mund të vendosë pragun e TVSH-së me votat e saj, por nuk mund të vendosë me votë që një mekanizëm fiskal është neutral, nëse llogaritë tregojnë të kundërtën.
Në fund të fundit, nuk është çështje se kush e propozon zgjidhjen. Është çështje nëse zgjidhja është e drejtë për ekonominë, për biznesin, për fermerin dhe për konsumatorin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









