Balla paralajmëron PD-në: Nëse nuk riktheheni në Reformën Zgjedhore deri më 30 nëntor, PS do t’i çojë propozimet në Kuvend
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas bojkotit të mbledhjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore nga Partia Demokratike, duke paralajmëruar se mazhoranca do të vijojë me propozimet e saj edhe pa pjesëmarrjen e opozitës.
Balla i kërkoi PD-së të rikthehet në tryezën e diskutimeve dhe të paraqesë të gjitha propozimet e saj, ndërsa e cilësoi bojkotin si të papranueshëm. Ai vendosi edhe një afat, duke deklaruar se nëse demokratët nuk rikthehen në komision deri më 30 nëntor, Partia Socialiste do t’i depozitojë propozimet e saj në Kuvend.
“E bojkotuan ata komisionin. Nuk ke pse e lë vendin duke abuzuar me një të drejtë, si ajo e vetos. PD t’i sjellë të gjitha propozimet në komision. Të diskutohen, por bojkoti i komisionit me një të drejtë që ta kemi dhënë ne, është i papranueshëm”, deklaroi Balla.
Ai i cilësoi si “teatër” pretendimet e opozitës për anashkalimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR, duke thënë se kjo çështje është përdorur prej një dekade në debatet politike.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së u ndal edhe te zgjedhjet e ardhshme të 9 majit, duke premtuar se do të krijohen mundësitë që edhe bashkitë e bashkuara të kenë përfaqësuesit e tyre në këshillat bashkiakë. Ai përmendi gjithashtu si një prej propozimeve të mazhorancës rikthimin e numërimit të votave në qendrat e votimit.
Sa i përket hapjes së listave për anëtarët e këshillave bashkiakë, Balla u shpreh kundër këtij propozimi, duke theksuar se mazhoranca ka qëndrimet e saj për ndryshimet që duhet të përfshihen në Reformën Zgjedhore.
/vizionplus.tv




