Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, ka sqaruar se pajisjet speciale që përdoren për menaxhimin e protestave janë siguruar përmes bashkëpunimit me strukturat policore të vendeve partnere, pa rënduar financiarisht buxhetin e shtetit.

Gjatë raportimit në Komisionin për Çështjet e Brendshme, Hitaj deklaroi se autobotet, dronët dhe mjetet e tjera të specializuara nuk janë blerë me fonde publike, por janë marrë në përdorim nga policitë e huaja. Ai theksoi se këto pajisje nuk janë dhuruar dhe se përdorimi i tyre bëhet në përputhje me kuadrin ligjor.

Sipas tij, për sigurimin e këtyre mjeteve nuk është shpenzuar asnjë lek nga buxheti i shtetit, ndërsa Policia e Shtetit i përdor ato sipas procedurave dhe dokumentacionit përkatës.

Një tjetër çështje e trajtuar gjatë diskutimeve ishte edhe situata e krijuar në protestat e fundit, ku disa efektivë policie kanë mbetur të plagosur.

Hitaj u shpreh se punonjësit e policisë kanë qenë të angazhuar në mbrojtjen e institucioneve dhe garantimin e sigurisë gjatë tubimeve, por sipas tij janë përballur me sulme të dhunshme nga protestuesit.

Ai pretendoi se që në ditën e parë të protestës, ndaj efektivëve është hedhur një sasi e madhe gurësh, ndërsa janë regjistruar edhe tentativa për të sulmuar institucionet shtetërore.

Kreu i Policisë shprehu keqardhje për dëmtimet e punonjësve, duke përmendur raste të rënda, përfshirë efektivë me fraktura në këmbë dhe dëmtime në kafkë.

Si shembull, ai iu referua edhe incidenteve në Shkodër, ku sipas tij disa punonjës policie kanë pësuar lëndime serioze gjatë ushtrimit të detyrës.

Hitaj këmbënguli se përdorimi i pajisjeve speciale gjatë protestave kryhet brenda kompetencave ligjore të Policisë së Shtetit, ndërsa mbrojti veprimet e efektivëve përballë situatave që, sipas tij, kanë cenuar rendin dhe sigurinë publike.