Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka paralajmëruar se mazhoranca do të vijojë përpara me Reformën Zgjedhore edhe pa pjesëmarrjen e opozitës, nëse Partia Demokratike nuk rikthehet në punimet e komisionit deri më 30 nëntor.
Pas bojkotit të mbledhjes së sotme nga përfaqësuesit demokratë, Balla deklaroi se PS do të depozitojë propozimet e saj në Kuvend dhe do t’i miratojë me votat që disponon.
Ai akuzoi opozitën se po përdor bojkotin për të penguar procesin, duke theksuar se mazhoranca i ka dhënë PD-së të drejtën e vetos, ndonëse disponon 3/5 e votave në Kuvend.
“Kush e bojkotoi komisionin? E bojkotuan ata! Komisioni nuk ka pse të ndërpritet. Nuk ke pse e lë vendin duke abuzuar me një të drejtë, si ajo e vetos. PD t’i sjellë të gjitha propozimet në komision. Të diskutohen, por bojkoti i komisionit me një të drejtë që ta kemi dhënë ne, është i papranueshëm”, deklaroi Balla.
Socialisti paralajmëroi se afati për përfundimin e punës së komisionit është 30 nëntori dhe se, nëse demokratët nuk kthehen deri atëherë, mazhoranca do të vijojë me nismat e saj në Parlament.
Gjatë prononcimit, Balla bëri të ditura edhe disa prej ndryshimeve që PS synon të përfshijë në reformë. Ai përmendi mundësinë që edhe bashkitë e vogla, të cilat u shkrinë gjatë Reformës Territoriale, të kenë përfaqësuesit e tyre në këshillat bashkiakë, përmes një formule të caktuar përfaqësimi.
Një tjetër propozim është rikthimi i numërimit të votave në qendrat e votimit, me argumentin se kjo do të shkurtonte kohën e nxjerrjes së rezultatit. Balla foli gjithashtu për një formulë të vitit 2020, që lidhet me depolitizimin e komisioneve zgjedhore.
Në fund, ai shprehu kundërshtimin për hapjen e listave për kandidatët e këshillave bashkiakë, duke sqaruar se ky ishte qëndrimi i tij personal si deputet dhe politikan.
“Sa i përket hapjes së listave për anëtarët e këshillave bashkiakë, unë jam kundër”, përfundoi Balla.