Inflacioni ngjitet në 3.4% në tetor/ Shtrenjtohen ushqimet dhe transporti, rritet presioni mbi buxhetet familjare

09/11/2026 15:55

Nga ushqimet që blejmë çdo ditë në supermarket te karburanti, qiratë dhe faturat e shtëpisë, jetesa po kushton gjithnjë e më shumë.

Në tetor inflacioni në Shqipëri u ngjit në 3.4% nga 2.9% që ishte në shtator dhe 2.3% në tetor 2025. Vetëm brenda një muaji, çmimet e konsumit u rritën me 0.5% duke shënuar një përshpejtim të presionit mbi buxhetet familjare.

Sipas INSTAT ndikimin më të madh në këtë rritje vijojnë ta kenë ushqimet dhe pijet joalkoolike. Ky grup që zë edhe peshën më të madhe në shpenzimet e familjeve me 34.1% të shportës së konsumit është shtrenjtuar me 4% krahasuar me një vit më parë. Vetëm në tetor ushqimet u rritën me 1.36% që do të thotë më shumë shpenzime për produktet e përditshme.

Por në bazë vjetore është transporti ai I cili ndikoi më shumë në rritjen e çmimeve me 11.4% ndërsa në muajin tetor dha një impakt 0.73%.

Edhe shpenzimet për banesën kanë dhënë një kontribut të konsiderueshëm. Grupi që përfshin qiratë, ujin, energjinë elektrike, gazin dhe karburantet e tjera është shtrenjtuar me 2.8% në bazë vjetore. Më shumë kushtojnë gjithashtu argëtimi, sporti dhe kultura me 7.4%, sigurimet dhe shërbimet financiare me 4.4% si dhe restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 2%.

Në krahasimin mujor rritja më e madhe është regjistruar te veshjet dhe këpucët, me 1.5% edhe pse në terma vjetorë ky grup rezulton 2.6% më i lirë.

Nga ecuria shohim se edhe pse jo të gjitha kategoritë po shtrenjtohen me të njëjtin ritëm, ushqimet, transporti dhe shpenzimet e banesës mbeten tre nga burimet kryesore të presionit mbi konsumatorët.

Por vet Banka e Shqipërisë në raportin e politikës monetare bëri të ditur se inflacioni i ndikuar edhe nga presionet e jashtme dhe të brendshme mund të ketë kah rritës në 2 tremujorët e ardhshëm.

Top Channel