Partia Demokratike akuzon qeverinë se po ul mbështetjen për arsimin në projektbuxhetin e vitit 2027, ndërkohë që studentët dhe pedagogët vijojnë protestat. Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula, tha sot se financimi i arsimit, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, parashikohet të bjerë nga 3,26% këtë vit në 3,19% vitin e ardhshëm.
“Edhe pse rinia studentore dhe pedagogët kanë një muaj që protestojnë, dhe Edi Rama bën thirrje për dialog, me aktet e tij ai dëshmon se dialogun e ka kurth dhe mashtrim”, deklaroi Sula.
Sipas saj, pavarësisht rritjes së shumës së parashikuar për arsimin, pesha e financimit ndaj ekonomisë së vendit do të ulet. Ajo veçoi arsimin bazë dhe parashkollor, për të cilin parashikohet 1,29% e PBB-së në vitin 2027, nga 1,35% këtë vit.
Sula ngriti shqetësime edhe për arsimin profesional, ku financimi, sipas shifrave të paraqitura prej saj, bie nga 0,178% në 0,173% të PBB-së. Ajo tha se për digjitalizimin e këtij sektori nuk është parashikuar asnjë fond për vitin e ardhshëm.
Për arsimin e lartë, përfaqësuesja e PD-së pranoi se projektbuxheti parashikon një rritje të lehtë, nga 0,47% në 0,48% të PBB-së, por argumentoi se mbështetja mbetet e pamjaftueshme, duke marrë parasysh edhe tarifat që paguajnë studentët.
“Edi Rama flet për ndërkombëtarizim të universiteteve, por i financon ato si kantiere të braktisura”, u shpreh Sula.










Komente
Komento