Kryeministri aktual i Hungarisë, Peter Magyar, njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se Áron Orbán, vëllai i ish-kryeministrit Viktor Orbán, është ndaluar nën akuzën e trafikimit të qenieve njerëzore. Policia hungareze konfirmoi arrestimin e disa personave në Budapest dhe në dy qytete të rajonit të Pestit, gjatë operacioneve të lidhura me hetime penale në vijim. Një prej kontrolleve u zhvillua në një pronë në rrethinat e kryeqytetit, e cila lidht me Áron Orbán. Autoritetet bënë të ditur se po kryhen kontrolle në banesat e personave të përfshirë dhe se do të publikojnë më shumë detaje mbi akuzat. Zyrtarisht, megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse vëllai i ish-kreut të ekzekutivit ndodhet në paraburgim. Nga ana e tij, Viktor Orbán e cilësoi operacionin si një përpjekje për të goditur rivalët, duke pretenduar se objektivi në fakt, është ai vetë. “Kjo është një larje hesapesh, një diversion. Qëllimi i kësaj loje të pistë është eliminimi i kundërshtarëve politikë dhe vendosja e një sistemi me një parti të vetme. Objektivi i vërtetë jam unë. Vëllai im i vogël është thjesht një instrument”, deklaroi ish kryeministri. Magyar, i cili fitoi zgjedhjet në muajin maj me premtimin për të luftuar korrupsionin dhe për të çmontuar sistemin e krijuar gjatë qeverisjes së Orbánit, ka nisur një sërë veprimesh kundër ish-zyrtarëve të administratës së mëparshme, ndër të cilët tre ndodhen tashmë në burg, përfshirë edhe ish guvernatorin e Bankës Qendrore, György Matolcsy.