Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin e arsyetuar për kërkesën e 39 deputetëve të Partisë Demokratike. Deputetët kërkonin shfuqizimin e dy dispozitave të dekreteve presidenciale që lidhen me ministren virtuale të Inteligjencës Artificiale, “Diella”. Sipas Gjykatës, kërkesa është rrëzuar, pasi dispozitat e kundërshtuara nuk kanë karakter normativ.
Kërkesa e 39 deputetëve të PD-së synonte të vinte në lëvizje kontrollin e këtyre akteve, por institucioni vlerësoi se ato nuk përbëjnë bazë të mjaftueshme për një ministri të re. Ato gjithashtu nuk krijojnë në mënyrë autonome kompetenca apo struktura të reja, argumenton institucioni.
Gjykata thekson se ato përcaktojnë një përgjegjësi individuale për Kryeministrin. Sipas saj, ato nuk përbëjnë bazë të mjaftueshme juridike për krijimin e një ministrie të re, raporton Euronews Albania. Deputetët e opozitës kundërshtuan përcaktimin sipas të cilit Kryeministri ushtron përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e “Diellës”.
Ata pretenduan se përmes këtyre dekreteve ishte krijuar një strukturë e re ministrore. Po ashtu, sipas tyre, ishin cenuar kompetencat kushtetuese të institucioneve të tjera. Gjykata Kushtetuese sqaron se nuk mund ta shqyrtojë çështjen në themel.
Kërkesa nuk përfshihet në kompetencën e saj për kontrollin e akteve normative apo verifikimin e zgjedhjes dhe emërimit të funksionarëve kushtetues. Për pretendimin për cenimin e kompetencave të institucioneve të tjera, Gjykata vlerëson se 39 deputetët nuk legjitimohen për ta vënë atë në lëvizje.
Në vendim, Gjykata thekson gjithashtu se përdorimi i inteligjencës artificiale në veprimtarinë publike nuk mund të ndryshojë rendin kushtetues dhe ligjor të ushtrimit të kompetencave. Sipas saj, inteligjenca artificiale mund të përdoret vetëm si instrument në ushtrimin e kompetencave ekzistuese.
Përgjegjësia institucionale dhe llogaridhënia mbeten te organi ose funksionari përkatës. Gjykata nënvizon se përdorimi i sistemeve të inteligjencës artificiale në administratën publike duhet të mbështetet në një kuadër të qartë ligjor. Ky kuadër duhet të garantojë mbikëqyrjen njerëzore, mbrojtjen e të dhënave personale dhe respektimin e të drejtave themelore.
