Pas protestave të zhvilluara në Shqipëri, Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) ka shprehur shqetësim për sigurinë e gazetarëve, duke tërhequr vëmendjen te numri i lartë i sulmeve të regjistruara.
Sipas të dhënave të rrjetit SafeJournalists, të mbështetur nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), nga 13 deri më 31 tetor janë dokumentuar të paktën 55 sulme ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias.
Të lidhura
None found
Mes rasteve të raportuara janë dhuna fizike, fyerjet verbale, ndalimet, pengimi i punës së gazetarëve dhe sekuestrimi i pajisjeve të tyre.
Në reagimin e saj publik, EFJ thotë se shumica e rasteve të dhunës u atribuohen punonjësve të Policisë së Shtetit. Federata u kërkon autoriteteve shqiptare të mbrojnë gazetarët dhe t’i vënë para përgjegjësisë personat e përfshirë në sulme.
EFJ kujton se autoritetet ishin njoftuar dhe u ishte kërkuar të ndërhynin përmes një letre të hapur më 14 tetor, të firmosur nga më shumë se 30 organizata. Megjithatë, sipas federatës, sulmet kanë vazhduar me frekuencë të lartë dhe gazetarët kanë mbetur të pambrojtur gjatë raportimit në terren.
Federata thekson se, ndërsa Shqipëria përparon drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, autoritetet duhet të sigurojnë lirinë e medias dhe të drejtën e qytetarëve për informacion transparent e të pavarur.







