Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, thuhet se ka mbikëqyrur hartimin e një memoje të klasifikuar, përmes së cilës zyrtarët e lartë të administratës Trump paralajmëroheshin për marrëdhënien intime të drejtuesit të Nvidia-s, Jensen Huang, me një grua të dyshuar për spiunazh në favor të Kinës.
Sipas një raportimi të The New York Times, paralajmërimi ishte shpërndarë përpara vizitës së presidentit Donald Trump në Kinë, në muajin maj, duke ngritur shqetësime për sigurinë kombëtare amerikane, në një kohë kur rivaliteti teknologjik mes Uashingtonit dhe Pekinit po bëhej gjithnjë e më i fortë.
Memoja, sipas raportimit, mbështetej në të dhëna të siguruara përmes përgjimit elektronik të Alice Huang, një shtetase kineze dhe drejtuese e lartë në një kompani me seli në Singapor. Ajo ishte nën hetim për dyshime mbi përfshirjen në kontrabandimin e çipave të avancuar të Nvidia-s drejt Kinës.
Burime të inteligjencës amerikane dyshohet se kishin arritur në përfundimin se Alice Huang ishte rekrutuar nga Ministria kineze e Sigurisë së Shtetit, institucioni kryesor i Pekinit për inteligjencën dhe kundërspiunazhin.
Përgjimet kishin nxjerrë gjithashtu në pah marrëdhënien e saj të afërt me Jensen Huang, duke bërë që drejtuesi i gjigantit teknologjik të përmendej në raportet e inteligjencës amerikane.
Përfshirja e Rubios në përgatitjen e këtij paralajmërimi tregon se shqetësimet për çështjen ishin ngritur në nivelet më të larta të administratës amerikane. Kjo ndodhte në një periudhë kur Jensen Huang vijonte të kishte një rol të rëndësishëm në diskutimet mbi politikat teknologjike dhe tregtinë e çipave me Kinën.
Kreu i Nvidia-s ka qenë një nga zërat kundër kufizimeve të mëtejshme të eksporteve drejt tregut kinez, duke argumentuar se kompanisë duhet t’i lejohet shitja e pjesës më të madhe të produkteve të saj, me përjashtim të teknologjive më të avancuara.
Pas publikimit të raportimeve, Nvidia bëri të ditur se do të nisë një hetim të pavarur për çështjen. Ndërkohë, Jensen Huang ka pranuar se kishte pasur një marrëdhënie intime me Alice Huang.
Kompania deklaroi se, bazuar në informacionet që disponon, nuk ka arsye të besojë se siguria kombëtare e SHBA-së apo sekretet tregtare të Nvidia-s janë komprometuar.
Nga ana e tij, Jensen Huang u ka kërkuar falje punonjësve, duke pranuar se kishte qenë i pabesë ndaj bashkëshortes së tij.

