Trump vë në pikëpyetje zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA: A beson dikush se ishin të drejta?

09/11/2026 16:48

Presidenti amerikan Donald Trump ka ngritur dyshime mbi transparencën dhe besueshmërinë e zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, duke vënë në pikëpyetje rezultatet e votimit të parakohshëm dhe përdorimin e makinave elektronike të votimit.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump shprehu pakënaqësinë për rezultatet e zgjedhjeve, të cilat sollën një humbje të rëndë për republikanët, që humbën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.

“A beson vërtet dikush se këto zgjedhje ishin të drejta? Si është e mundur që sondazhet të ishin kaq të gabuara?”, shkroi presidenti amerikan.

Ai pretendoi se disa rezultate të votimit të hershëm ishin aq të larta, saqë fitorja ishte e pamundur, pavarësisht numrit të votuesve që morën pjesë në proces. Trump drejtoi gishtin veçanërisht nga makinat elektronike të votimit, duke pretenduar se ato kanë më shumë ndikim sesa vetë votuesit.

“Gjithçka varet nga makinat, të cilat janë shumë më të rëndësishme se votuesi!”, deklaroi ai, duke përsëritur akuzat e pabazuara për mundësinë e manipulimit të rezultateve përmes këtyre pajisjeve.

Qëndrimi i fundit i Trump shënon një ndryshim nga deklaratat e tij të mëparshme, kur pas humbjes së republikanëve kishte thënë se do të pranonte rezultatet e zgjedhjeve dhe se ishte i gatshëm të bashkëpunonte me demokratët.

Megjithatë, presidenti dhe një pjesë e republikanëve kanë vijuar të ngrenë pretendime për parregullsi në procesin zgjedhor, duke akuzuar demokratët se kërkojnë mënyra për të ndikuar në rezultat, përfshirë edhe përmes votimit të personave që nuk janë shtetas amerikanë.

Sipas gazetës britanike “The Guardian”, ekspertët për të drejtat e votës kishin paralajmëruar se Trump dhe aleatët e tij republikanë mund të kundërshtonin rezultatet e zgjedhjeve të mesit të mandatit. Zhvillimet e fundit duket se kanë konfirmuar këto parashikime, pasi vetëm pak ditë pas humbjes së republikanëve, presidenti ka rikthyer retorikën për zgjedhje të manipuluara, të ngjashme me pretendimet që ngriti pas humbjes ndaj Joe Biden në vitin 2020.

Top Channel